Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, deklaroi sot se pushteti ekonomik dhe politik është përqendruar në duart e një njeriu të vetëm, teksa shtoi se qeveria ndërhyn në treg nëpërmjet korrupsionit dhe parave të pista.
Në një konferencë për ekonominë, mbajtur në Tiranë, Shehaj tha se, Rama vendos se kush do të fitojë dhe kush do të dështojë në ekonomi, duke sulmuar edhe oligarkët, për të cilët tha se atyre Rama u ka dhënë një printer dhe printojnë para.
Sipas Shehajt, biznesi i ndershëm nëse del me 10% ka super rezultat, ndërsa oligarkët e Ramës figurojnë më shifra joreale, 70 ose 80% fitime.
“Pushteti ekonomik dhe politik është e përqendruar në duart e një njeriu që vendos cili do fitojë dhe cili do dështojë në ekonomi, nuk e vendos tregu. Qeveria ndërhyn nëpërmjet korrupsionit, nëpërmjet përfshirjes së parave të pista, përveç ortakëve të kryeministrit, ata që në fakt nuk bëjnë biznes por printojnë para’. U ka dhënë një printer kryeministri dhe thonë sa para’ do bëj sot. Ky është një treg absolutisht jo i lirë”, u shpreh Shehaj.
Për kreun e “Mundësisë”, zhvillimi i shpejtë i Shqipërisë do të vijë vetëm ditën kur të kalojmë në një kapitalizëm të vërtetë.
“Vetëm ditën kur do kalojmë nga “karikatura e kapitalizmit” në një kapitalizëm të vërtetë, atëherë Shqipëria do zhvillohet më shpejt. Një shprehje që se përdorim dot më, edhe bufi e di se me më shumë para, mund të japim një shëndetësi e një arsim më të mirë”, theksoi Shehaj.
Komente
