Nga Kukësi, Agron Shehaj, kryetari i Partisë “Mundësia”, ka theksuar se vetëm një ekonomi që rritet sjell përfitime për qytetarët, përfshirë rritjen e rrogave dhe mundësi më të mira për arsim dhe pensione. Sipas Shehajt, është e rëndësishme që qytetarët të kuptojnë se paratë nuk bien nga qielli, por janë rezultat i punës dhe sakrificës.
“Rritja e biznesit çon në rritjen e ekonomisë, dhe kjo sjell më shumë mundësi për të gjithë. Mos u gënjeni nga ata që premtojnë para për të gjithë. Paratë që ata ofrojnë janë paratë tona, paratë e qytetarëve shqiptarë, dhe nuk bien nga qielli. Kjo është diçka që ata që nuk kanë punuar një ditë në sektorin privat nuk e kuptojnë. Ata nuk e dinë se si fitohen paratë dhe sa sakrifica kërkon ky proces,” – tha Shehaj në takimin e fushatës në Kukës.
Kreu i ‘Mundësia’ theksoi gjithashtu se, nëse ata që janë në pushtet nuk janë në gjendje të kujdesen për paratë e qytetarëve si për paratë e fëmijëve të tyre, më mirë të mos i fusin duar në xhepat e shqiptarëve.
“Nuk flasim për kapitalizëm fallco, por kapitalizëm të vërtetë. Ne jemi për kapitalizmin. Puna, puna dhe sakfrica, kjo i bën njerëzit të bëjnë një jetë më të mirë, jo shteti. Shteti ështe pengesa. Mos u gënjeni nga të tjerët, që thonë se shteti do i japë zgjidhjen” – theksoi Shehaj.
Agron Shehaj ka bashkëthemeluar Partinë Mundësia dhe në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit garon me numrin 10 në fletën e votimit.
Në fushatën e tij elektorale, Shehaj është fokusuar në takimet me qytetarët dhe bizneset, të cilave u ka premtuar se angazhimi i Partisë Mundësia është t’u heqë shqiptarëve shtetin nga kurrizi, përmes shkurtimit të taksave si dhe tkurrjes së administratës, që do të sjellë dhe kursim të 1 miliard eurove, me qëllim kthimin e këtyre parave në xhepat e qytetarëve.
Komente
