MALTË- Një punëtor shqiptar ka humbur jetën në Maltë, teksa punonte për rikonstruktimin e çatisë në banesë. Çatia e cila u shemb zuri poshtë shqiptarin, i cili nuk mundi të mbijetojë, ndërsa një tjetër punëtor shqiptar mbeti i plagosur.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur paraditen e somtme, 20 prill, në Saelma. Siç raportojnë mediat vendase, çatia u shemb duke zënë poshtë dy shqipatrët. Punëtori 31-vjeçari, i cili arriti të shpëtonte, ka dalë vetë nga rrënojat. Viktima është 51 vjeç dhe dy shqiptarët banonin në qytetin Zebbug.
Dy punonjësit shqiptar po kryenin punime në një shtëpi në rrugën St Ignatius në Sliema kur fqinjët dëgjuan një zhurmë të madhe pak kohë para orës 10 të mëngjesit. Një grua që jeton afër vendit të ngjarjes, u tha gazetarëve se doli me shpejtësi jashtë dhe pa një shtëllungë të madhe pluhuri dhe një burrë që po dilte nga ndërtesa, i cili po kërkonte një ambulancë pasi kolegu i tij ishte bllokuar brenda.
Autoriteti i Ndërtimit ka njoftuar se pronari i banesës nuk kishte marrë ende lejen për ndërtim, ndonëse dy shqiptarët kishin filluar me rikonstruktimin.
“Rezultoi se punimet që po kryheshin në ambientet e brendshme të pronës nuk kishin miratimin e plotë të Autoritetit të Planifikimit, pasi aplikimi me atë autoritet ishte ende në pritje”, u tha në deklaratë.