Kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci ka reaguar në rrjetet sociale në lidhje me shembjen e një masivi shkëmbor në rrugën Kir–Lotaj–Ndërlysaj, pjesë e rrugës së Dukagjinit, e cila është në ndërtim e sipër.
Beci shkruan në Facebook, se nuk ka pasur dëmtime të kalimtarëve apo të punonjësve që po kryenin punime. Ndërsa më tej, kryebashkiaku i Shkodrës thekson se është e pamundur ndërhyrja për lirimin e rrugës.
“Firma kontraktuese, pavarësisht angazhimit për lirimin e këtij segmenti, e ka pasur të pamundur zhbllokimin e rrugës për shkak të shembjeve të vazhdueshme, të cilat vijojnë edhe sot.
Është tepër e rrezikshme të përdoren fadromat apo eskavatorët, pasi masivi shkëmbor mbi aksin e rrugës ka një lartësi prej 150–200 metrash”, shkruan Beci.
Po ashtu në fund, Beci shton se pritet stabilizimi i terrenit për të ndërhyrë, ndërsa ka kërkuar edhe mirëkuptimin e banorëve, të cilëve iu ka kërkuar të përdorin rrugë alternative në drejtim të Shkodrës.
Postimi i plotë i Becit:
Që prej ditës së djeshme, si pasojë e shembjes së një masivi shkëmbor në rrugën Kir–Lotaj–Ndërlysaj, pjesë e rrugës së Dukagjinit, Loti II, i projektit që po financohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në vendin e quajtur “Prroni i Çiverit”, fshati Kir, Njësia Administrative Pult, është bllokuar segmenti rrugor.
Fatmirësisht nuk është shënuar asnjë dëmtim i kalimtarëve apo i punonjësve të firmës që po kryen punimet.
Firma kontraktuese, pavarësisht angazhimit për lirimin e këtij segmenti, e ka pasur të pamundur zhbllokimin e rrugës për shkak të shembjeve të vazhdueshme, të cilat vijojnë edhe sot.
Është tepër e rrezikshme të përdoren fadromat apo eskavatorët, pasi masivi shkëmbor mbi aksin e rrugës ka një lartësi prej 150–200 metrash.
Sipas ekspertëve, duhet pritur stabilizimi i terrenit për të ndërhyrë në kushte sigurie. Kërkojmë mirëkuptimin e banorëve dhe i ftojmë të përdorin rrugë alternative për të lëvizur në drejtim të Shkodrës. Sapo ekspertët e sigurisë të japin dakordësinë për vijimin e punimeve, firma që po kryen punimet në këtë segment rrugor do të bëjë zhbllokimin e këtij aksi rrugor.
Janë publikuar pamjet nga shembja e një masive shkëmbor në rrugën Kir –Ndërlysaj, në aksin i cili është në ndërtim! Një masiv shkëmbor bie mbi rrugë dhe bllokon aksin që lidh disa fshatrat e Dukagjinit.
Pamjet i ka publikuar deputetja e PD-së Gerta Bardeli, e cila shkruan se të pranishmit kaluan momente frike dhe tmerri.
“Sot momente frike dhe tmerri në rrugën Kir - Ndërlysaj! Pamjet flasin vetë!”, shkruan deputetja e PD-së.
Komente
