Kryeministri Edi Rama ka theksuar se nuk do të ndalen shembjet e ndërtesave pa leje. Në një bashkëbisedim me qytetarët, u shpreh se kontrolli i lejeve të ndërtimit do të bëhet çdo 60 ditë. Kjo bën pjesë në ndryshimet e reja ligjore në mënyrë që të mos tolerohet askush dhe grupet e kontrollit nuk mund të thonë se ndonjëra i ka shpëtuar pa e parë.
Kreu i qeverisë theksoi se ligji do të jetë i barabartë për të gjithë, qofshin persona në politikë apo në media.
“S’po flasim për ata që kanë ndërtuar dhe po ndërtojnë tek tuk pa leje për strehimin e tyre. Tjetër është kur dikush ka dalë nga leja e ndërtimit më shumë se kaq, tjetër kur ka bërë ndërtim pa leje, tjetër kur godina shembet. Të gjitha janë në ligj, s’janë të improvizuara. Kemi të bëjmë me një proces që ka nisur prej kohësh dhe vazhdon e do të vijojë deri në fund. Nuk mbaron këtu. Për rastin që flisni dhe të gjitha të tjerat, në dijeninë time do ketë dhe shembje të tjera për të cilat ka procedura dhe nuk do të ketë asnjë individ që do të tolerohet. Jeni të mirëseardhur të denonconi ndërsa po evidentohen raste nga struktura. Po bëhet gati ndryshimi ligjor që kontrolli i lejeve të ndërtimit nga ana e strukturave vendore për ato që japin leje dhe Këshilli Kombëtar i Territorit, do bëhen në mënyrë periodike dhe jo më pak se 60 ditë.
Do të firmoset që askush nga grupet e kontrollit të mos thotë se pashë. Ky është proces nxjerrjesh mësimi nga ne. Nuk ka lidhje me çfarë thuhet e pretendohet e aq më pak me lirinë e medias. Kjo është çështje ligjshmërie dhe ligji është i barabartë për të gjithë, pavarësisht se janë në politikë apo media”, tha Rama.
Vendimi i qeverisë për ndërtimet pa leje nisi zbatimin nga Tirana dhe u paralajmërua se do të shtrihet në çdo qytet për ato ndërtesa që janë ndërtuar me qëllim fitimi, duke përjashtuar ndërtesat të cilat janë të paligjshme por qytetarët i kanë ngritur për veten e tyre për të strehuar familjet. Godina edhe mund të shembet vetëm në rastet kur IKMT vlerëson që nuk përmbush kriteret urbane apo të sigurisë së strukturës.