Shëmtia është një temë e lidhur ngushtësisht me estetikën, që nuk është se pëlqehet aq shumë. Dhe, ka një të vërtetë në të gjithë këtë: në kohën tonë është shumë shqetësuese të konsiderohesh i shëmtuar. Paradoksalisht, shëmtia po fiton pushtet me ndërtimet e larta tollovi, arkitekturën cinike, sjelljen sociale dhe shumë elementë, që i përballim çdo ditë. Përballja e saj kërkon vërtetë impenjim të madh. Nga ana tjetër, duam apo nuk duam, të mendosh milionat që shpenzohen në drejtimin e dukjes fizike në Shqipëri dhe përpjekjet, që individët bëjnë për t’u mos etiketuar të shëmtuar, trembesh.
Në një shoqëri si tonën, të privuar dikur nga luksi i masës, sot, jo pak herë suksesi, vlerësimi dhe madje edhe dashuria mbështeten mbi pamjen fizike. Shifrat të japin një lloj ideje: Në vitin 1996, kur Shqipëria sapo u transferua prej një sistemi tjetër të përkorë ndaj luksit: importet e produkteve të bukurisë dhe kujdesit për fytyrën do të arrinin vlerën mbi 309 mijë dollarë. Në vitin 2004 importet e këtij grupi do të kalonin në 1.2 milionë dollarë, për të vijuar më pas me një rritje graduale që kulmin e pati në vitin 2016. Sipas të dhënave, këto importe në 2015 do të kapnin 12.5 milionë dollarë me një rritje prej 7.8% me bazë vjetore. Në dy dekada rezultonte të kishim plot 40-fishimin e vlerës së importeve për produktet e kësaj kategorie (Monitor, 2018). Këtu nuk përfshihet një statistikë, lidhur me operacionet plastike dhe të gjithë këtë zhvillim, që ka kapur masivisht individin shqiptar. Të jetë thjesht evoluimi i mentalitetit shqiptar mbi kujdesin ndaj vetes, apo përpjekje për t’i ikur të shëmtuarës?
Pa një analizë të mirë sasiore dhe të kujdesshme cilësorë është vështirë të thuash, ani duhet kuptuar si fenomen. Në fakt, ajo që donim të shtjellonim është shëmtia që përcillet sot në çdo segment të jetës sonë, duke nisur nga arti, politika, marrëdhëniet shoqërore, arkitektura dhe në jo pak elementë të tjerë. Kullat e mbira ngado në vend me një agresivitet cinik, që vërtetë të veçuara mund të paraqesin ndonjë cilësi, në përgjithësi në Tiranë rrinë tmerrësisht shëmtuar dhe po ia humbin fizionominë qytetit tonë. Shembulli i kryeqytetit është nga më cilësorët për këtë logjikë. Në art, gjithnjë e më shumë referim është e keqja dhe e shëmtuara. Në gazetari, të mjafton të shikosh titujt dhe të kuptosh se jemi një vend i dëmtuar në qelizë. Të zë malli për një lajm pozitiv ose shpresëdhënës. Duke iu kthyer artit, për fat të keq, në vitet e fundit kemi humbur aktivitetet ndërkombëtare që Tirana realizonte dikur në artin pamor, anipse kur përballeshe me jo pak veprat e përzgjedhura, shikoje shëmtinë në çdo element. Kuptohet se kuratorët mund ta përplasin dhe të bindin me arsyetime të së bukurës për përshfaqjet e tyre.
Kurse politika e përcjell të shëmtuarën në çdo hap dhe në secilin element, ku përballet, qoftë direkt apo indirekt. Të mjafton të shikosh pllakatet, banderolat, parullat dhe etiketimet që i bëjnë njëri-tjetrit në parlament të kuptosh se shëmtia është një kult i adhuruar, për të mos thënë se përbën një garë, ku të gjithë duan të jenë të parët. Nuk po flasim për zhargonin, që u del normal mbushur me remineshenca të zhvillimit të vonuar dhe banalitetit të trashëguar. Vulgariteti shoqëror, llumi i institucionalizuar deri në televizionet kombëtare, politika gjithnjë më e shëmtuar është ngritur gati në piedestal dhe këtë të fundit e shikon rëndom në Parlament. Një estet britanik, filozof dhe kritik social si Scruton e përshkroi me dhimbje si fenomen për vendin e tij, kur po përgatiste një shkrim: Në artikullin ‘The modern cult of ugliness’ (‘Kulti modern i shëmtisë’), Scruton (2009) shkruan se: “Bukuria duket se nuk ka më domethënien që kishte dikur” dhe ia atribuoi “shëmtinë e krijuar nga njeriu” qendrave të qyteteve punës së arkitektëve modernë dhe faktorëve të tjerë.
Por, ai arriti të shpjegojë edhe pse shëmtia po bëhej kult: “Ajo që shikojmë, dëgjojmë dhe lexojmë na ndikon në pjesën më të thellë të qenies sonë. Sapo fillojmë të festojmë shëmtinë, atëherë bëhemi edhe ne të shëmtuar. Ashtu si arti dhe arkitektura e kanë shëmtuar veten, po ashtu edhe sjelljet tona, marrëdhëniet tona dhe gjuha jonë bëhet e papërpunuar”. Të jenë të ndërvarura? Në rastin e Shqipërisë kjo shihet qartë, panginja e fitimit, rregullat e ndryshuara, boshllëku nga arti dhe, rritja e hapësirës ku fjalori i ashpër dhe i shëmtuar i parlamentit tashmë ka zbritur deri te njerëzit e thjeshtë: A ka më shëmti në mënyrën sesi e përshkruan opozita, Ramën, si të palarë, të droguar, të papërgjegjshëm etj.?.. .Apo kur ku i fundit tallte publikisht një nga njerëzit kryesorë të PD-së për një cen fizik?
Fjalori i Berishës është një rast më vete studimi. A ka më neveritëse sesa ajo që pronari i një lokali ku u zhvillua takimi i ditëve të fundit të aktiviteteve të socialistëve e përshkruante Ramën në qendër të një pllakati, rrethuar nga kafshë që lehnin, duke nënkuptuar hapur të gjithë kritikët? Kjo shëmti tashmë po shkon më shumë: në ligjërimet publike, ku nëse nuk do llogarisnim njerëzit e shoë biz (“atyre u lejohet çdo budallallëk i kësaj kohe), ka kapur dhe individë të tjerë, që për hir të like, çfarë nuk nxjerrin nga goja; ndërtimin; edukimin e munguar dhe shumë problematik me simbolikat e reja. Shëmtia është simbolika më e madhe e kësaj kohe. Komentet, që ndjekin çdo lajm apo shkrim, janë një nga treguesit dytësorë të këtij fenomeni. Interneti ndërkohë po e ushqen në jo pak raste në aspektin më negativ.
Ideali i dikurshëm se informacioni do të na ndihte, tashmë po kthehet në të kundërtën: Ai po na lodh! Psikologët e kanë kategorizuar këtë si efekt dezinhibimi (efekti i mosfrenimit) prej internetit, në të cilin faktorë si anonimiteti, padukshmëria, mungesa e autoritetit dhe moskomunikimi në kohë reale i heqin zakonet që shoqëria kaloi mijëvjeçarë duke i ndërtuar hap pas hapi. Dhe për fat të keq po shkon nga telefonat tanë inteligjentë, ku pjesa më e madhe nuk i heq nga dora, deri në çdo aspekt të jetës sonë, u referohemi sociologëve. Dhe, nuk ke nevojë për prova, por shiko reagimet dhe ofendimet që bëjnë anonimë në internet të të mbesin flokët të kërleshura për ditë të tëra.
A mund t’i kthehemi kanoneve të së mirës? A mund të përmirësohej shoqëria falë së bukurës? Parimisht, po, sepse gjithnjë e më shumë po kërkojnë strehë tek “e mira”, veç politikanëve që e kanë habitat notimin në shëmti.
Ta etiketosh dikë “të shëmtuar” apo ta njohësh dikë si të shëmtuar, konsiderohet si jodemokratike dhe mizore. “Pohimi i të shëmtuarës është mizore sepse, pavarësisht nëse gjykimi është i gabuar ose i saktë (si përbindëshi i Frankenshtajnit), të quash dikë të shëmtuar mund të shkaktojë më shumë dëm se akuza se dikush është gënjeshtar apo mashtrues. Ndryshe nga gënjeshtra apo mashtrimi, shëmtia duket se ka pak justifikime, një situatë e përkeqësuar, për ironi, nga disponueshmëria e lehtë e rregullimit kozmetik dhe ngritja e shiritit të pamjes së mirë ‘standarde’”, citojmë shkrimin e një estete tek e “Shëmtuara” (Devereaux, 2005).
E megjithatë, e shëmtuara po zë kaq shumë vend. Me këtë përçarje që ka futur politika tek ne, shëmtia është kthyer tashmë në normë. Dhe, jo vetëm estetike. Shoqëria shqiptare ka kohë që trandet me vrundujt që i vinë qoftë nga kalimet socialekonomike të shpejta, por edhe nga probleme antropologjike të mbartura, që nuk ka ditur t’i adresojë. Kjo kohë nuk rregullon dot gjë. Arti, politika, media, arkitektura, sjellja e shoqërisë duket sikur janë në aleancë dhe të kujtojnë trishtueshëm atë që personazhi i Sabinës në romanin e Milan Kunderës, “Lehtësia e padurueshme e qenies”, e thoshte hidhur: Ne jemi dëshmitarë të “shëmtimit” progresiv të botës. Çështja që vërtetë është e hidhur ka të bëjë me faktin se: në një mënyrë ose në një tjetër, një imazh i shëmtuar shoqërohet shpesh me një formë të keqe morale, një sens që sot e lodh shumë dhe po e çorodit shumë shqiptarin e thjeshtë. “…ndërsa shoqëria është bërë më urbane dhe më pak fetare, kulti i shëmtisë ka zënë vend.
Nuk mund të jetë rastësi që ka ardhur në një kohë prosperiteti të paparë. Arti i shëmtuar modern prodhohet nga fëmijët e përkëdhelur të shtetit demokratik, të cilëve nuk u është dashur kurrë të luftojnë, që nuk kanë njohur luftën dhe që kanë hyrë që në moshë të re në prehrin e luksit (Scruton, 2009), e shpreh hidhur mendimin kritiku i njohur social. Në fakt është realitet tjetër, por shëmtia jonë, në kushte të mungesës së shumë elementëve qoftë demokratikë, por edhe estetikë të së mirës, na sjell një shqetësim: Pse po mësohemi vallë kaq lehtë me të keqen dhe pse po e tolerojmë aq shumë atë?