Diku në Shqipëri ndodhet një Mbretëri me 70 mijë Mbretër.
Nuk është përrallë.
Në Mbretërinë në fjalë, 100 hektarë e tëra, secili prej 70 mijë Mbretërve ka nga një Harem të madh me 200 Mbretëresha.
Pra 70 mijë Mbretërit mbarsin 14 milionë Mbretëresha. Flakë të kuqe të gjitha. Me kurorë mbretërore secila.
Secila nga 14 milionë Mbretëreshat ka nga 8 dhoma, 8 mitra.
Të gjitha Mbretëreshat së bashku kanë 112 milionë mitra.
Në secilën prej mitrave të Mbretëreshave lindin nga 200 bija Princesha, po aq të kuqe sa nënat e tyre Mbretëresha.
Mbarsja e 14 milionë Mbretëreshave prej 70 mijë Mbretërve nëpër 112 milionë mitra, sjellë në jetë mbi 22 miliardë Princesha të vogla si diamantë të kuq, të gjitha të ëmbëla.
Përveçse mbarsin dhe mbarsen, çfarë bëjnë vallë këta 70 mijë Mbretër, këto 14 milionë Mbretëresha, ato 22 miliardë Princesha ?
Bjerrin kohën nëpër kafenera ?
Sorollaten nëpër fejsbuka ?
Vrasin njëritjetrin ?
Jo, asgjë të tillë nuk bëjnë. Bëjnë punë të tjera, pakrahasimisht më të mira.
Të gjithë bashkë, Mbretër, Mbretëresha, Princesha, përbëjnë një laborator gjigand ku prodhojnë diçka tepër të vlefshme dhe të dobishme, një elisir, një melhem, një lëng, me cilësi mahnitëse:
Lufton kancerin.
Kuron tumoret.
Është antioksidant i fuqishëm.
Pastron arteriet.
Përmirëson metabolizmin.
Ndihmon funksionimin e veshkave.
Forcon zemrën dhe trurin.
I bën mirë prostatës.
Lufton gripin dhe virozat.
Ruan dhe freskon kujtesën
Mbron mishrat e dhëmbëve.
Ndihmon higjienën e gojës.
Përmirëson tretjen e ushqimit.
Pakson dhimbjet e kyçeve
Rregullon tensionin e gjakut
Ul stresin.
E shumë të mira të tjera për shëndetin e njeriut, shëndetin e shqiptarit.
Çfarë janë, si janë, ata miliona e miliarda Mbretër, Mbretëresha, Princesha, që bëkan gjithë këto punë të mira ?
Mbretërit janë drurë shege.
Mbretëreshat janë fruti i shegës.
Princeshat janë kokrrat e shegëve.
Lëngu që përgatisin është lëngu i shegës.
Morpo ky deti i shegëve, kjo mizëria e Mbretërve, Mbretëreshave, Princeshave, a ka në krye një Perandor, një Sovran, që i komandon, që i udhëheq ?
Po, ka.
Quhet Shpëtim Oseku.
Violinist me profesion, artist në shpirt, iniciator në jetë, Shpëtim Oseku erdhi në këtë ish-ranishte, në këtë ish-moçalishte, në këtë tokë të vdekur, para 6 vjetësh.
Pse ? Ç'ju shkrep ? Çfarë i tha mendja ?
Sepse mendja i tha të bëjë, jo diçka që hahet, dhitet, harrohet, por diçka që hahet, tretet, mbetet.
Dy vitet e para ndërtoi sistemin e drenazhimit dhe rezervuarin gjigand të ujit.
Vitin e tretë mbolli 70 mijë Mbretërit, pra 70 mijë fidanat e shegëve.
Vitin e katërt, haremi me Mbretër, Mbretëresha, Princesha, u rrit.
Vtin e pastë dhe vitin e gjashtë, të dy vitet nga 1 mijë e 200 tonelata shegë, haremi dha produktin e vet. 14 milionë Mbretëreshat me kurorë. Ato kokrrat e kuqe të shegëve që kanë brenda 22 miliardë Princeshat e vogla të ëmbëla.
Sot shegët e ish-ranishtes studiohen nga 144 universitete në mbarë botën.
Profesorë dhe shkencëtarë vinë nga an' e anës për të parë dhe studjuar nga afër shegët e Shën Salvador Osekut ku 1 kokërr shegë ka arritur deri 1.6 kilogram.
Moçalishtja e dikurshme furnizon me shegë rrjeta supermarkatash në Shqipëri, Angli, Gjermani.
Zyrat, ofiçina, fjetorja, të gjitha krejt modeste, stil spartan.
Perandori, Salvatori, Shpëtimi, ideatori dhe arkitekti i kësaj iniciative kolosale, gdhihet e ngryset aty. Mes shegësh. Pa kafene. Pa internet. Pa fejsbuk. Me vetëm 6 orë gjumë në natë. Edhe ato të ndërprera 5 herë nga ëndërra dhe zhgjëndërra me shegë që flasin, bërtasin, ulurasin, njëra të vaditet, tjetra të krasitet, e treta të vilet, e katërta se e ka zënë gripi, e pesta se Mbretëreshat dhe Princeshat i kan nis një sherr dhe jan kap për flokësh etj. etj. Nga lodhja, drekë e darkë, Salvatori ngatërron lugën, her' me traktoristin her' me kryepuntorin, është e imja apo e jotja ?
Stafi, apo truri i kësaj ferrparajse shegësh me 150 puntorë, shumë më tepër parajsë se ferr, ai staf që nëpër vendet e tjera ku punohet është një ushtri me shefa dhe drejtora, këtu është një grusht murgjish dedikuar punës që gdhihen e ngrysen mes shegësh:
Një Kryepuntor.
Një magazinier.
Dy financierë.
Dhe Shpëtimi.
Kaq. Kaq o kaq. Asnjë më tepër.
Si të shenjtërohet, pavdekësohet, kjo iniciativë e lindjes së jetës nga vdekja, e ndërtimit të parajsës nga Ferri, e ngritjes së diçkaje ku ishte asgjëja ?
Dihet si ndërtohet një Xhami. Vjen një hoxhë nga Arabia ose Turqia, sjell ca pare, ndërton Xhami, edhe në një katund ku s'ka shkollë.
Ndërkohë, ca shqiptarë që nuk e përdorin trurin vetëm për intriga, gojën vetëm për të ngrënë, rrushin vetëm për të hedhur çiçin përpjetë, në bisedat mes tyre, vrasin mendjen: Kur ? dhe Ku ? vallë ndërtohet një Kishë e Re.
Ku vdekjen e ka bërë jetë dhe Ferrin Parajsë, Shën Oseku e ka ndërtuar vetë tashmë një Kishë të Re.
Drejt Punës
Opinion
Opinion
Shën Oseku
Analizë nga Edison Ypi...