TIRANË- Dita e ëmbël e ‘Shën Valentinit’ është simbolikë e dashurisë. Rrugët e qyteteve mbushen me dedikime të ëmbla dhe mbizotëron e kuqja, çiftet rendin me lule të kuqe në dorë, si një ditë e veçantë për të shprehur ndjenjat. Në mes të një atmosfere të tillë, gazetarja e Report Tv Ledina Jakimi ka sjell një çift të dashuruarish qysh prej 54 vjetëve, të cilët edhe sot kanë të njëjtin shkëlqim në sytë e tyre për njëri-tjetrin siç e patën kur u panë për herë të parë.
Ata rrëfyen sesi para 54-vjetësh, Ibrahimi, i cili aso kohe ishte mësues dhe Fatbardha nxënëse, u dashuruan në vitin 1968. Ende sot, Ibrahimi tregon se i dedikon fjalët më të ëmbla.
“Njohja ime ka qenë e tillë, unë kam qenë mësues, kjo ka qenë nxënëse. Por duke u nisur nga pamja e jashtme... kështu u dashuruam në vitin 1968.”- tha Ibrahimi.
Ndërsa Fatbardha u shpreh se shkëndija e parë mes tyre ishte me sy, ajo rrëfeu sesi fillimisht u desh që një kolege e tij të bëhej ndërmjetëse e mesazheve të tyre të para për njëri-tjetrin, e më pas, pavarësisht se prindërit e Fatbardhës ishin kundër ata u martuan.
“E kemi bërë shikimin me dashurinë me sy. Dh një mësuese që ishte ndërmjetësuese ashtu i dërgonim letra njëri-tjetrit. Fillimisht, prindërit nuk donin, por pastaj u martuam. Aktualisht unë jam stërgjyshe.”- tha Fatbardha.
Çifti i ëmbël Tabakaja u shprehën se e festojnë gati çdo vit Shën Valentinin, por u bëri thirrje çifteve të reja që ta festojnë çdo ditë të vitit. Ata u shprehën se ende pas 54 vitesh e cilësojnë njëri-tjetrin shumë të dashuruar edhe pse janë stërgjyshër. Ibrahimi tregon edhe disa nga epitetet e ëmbla që i dedikon të dashurës së tij.
“Ne e festojmë çdo vit por unë i them të gjithëve ta festojnë 365 ditë të vitit. Sot ne do festojmë duke ngrënë një drekë, me të dashurën time, se ne jemi ende të dashuruar edhe pas 54 vjetësh.
Unë i them bashkëshortes sime, bardhoshe, bukuroshe, kingloshe, kështu e përkëdhel këtë. Por gjatë gjithë kohës këtë bashkëshorten, ose të dashnoren time e përkëdhel, sepse femrat mashkulli duhet t’i mbajë në humor me fjalë të ëmbla.”- thanë ata.
Të pyetur se çfarë mesazhi kishin për çiftet e reja, Ibrahimi u shpreh se duhet të krijojnë marrëdhënie dhe të lumturohen krah njëri-tjetrit.
“Unë mendoj që duhet të ndërtojnë marrëdhënie dhe të lumturohen me njëri-tjetrin jo të acarohen me njëri-tjetrin dhe të shkojnë drejt divorceve.”- tha ai.