Një ngjarje e rëndë është shënuar pasditen së shtunës në shëtitoren e plazhit të Shëngjinit, ku një 32-vjeçar ka humbur jetën pasi ra në kontakt me energjinë elektrike.
Sipas policisë, rreth orës 16:45, shtetasi Zef Lorenci, banues në fshatin Mërqi të Lezhës, ishte duke punuar për montimin e skenës për një koncert që do të mbahej këtë mbrëmje në zonë, kur dyshohet se ka rënë në kontakt me rrymën elektrike.
Si pasojë e goditjes elektrike, ai është rrëzuar nga skela dhe ka ndërruar jetë në vendngjarje. 32-vjeçari, i martuar dhe baba i dy fëmijëve, ishte djali i vetëm i familjes Lorenci dhe punonte për një kompani private që merrej me organizimin e eventeve.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në morg për ekspertizën mjeko-ligjore, ndërsa policia dhe prokuroria kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Po verifikohet nëse janë respektuar rregullat e sigurisë në punë apo nëse bëhet fjalë për pakujdesi nga vetë viktima. Policia ka shoqëruar disa persona që ndodheshin në vendin e ngjarjes në momentin e aksidentit.
Ndërkohë ngjarja ndodhi në një zonë të populluar pranë bregdetit të Shëngjinit, ku protagonist ishin shumë pushues.
“Rreth orës 16:45, në shëtitoren e plazhit të Shëngjinit, pranë bustit “Ëillson”, dyshohet se, si pasojë e kontaktit me rrymën elektrike, ka rënë nga lartësia e një skele dhe ka humbur jetën shtetasi Z. L., 32 vjeç, banues në fshatin Mërqi, Lezhë. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.”, njofton policia.
Komente
