Në Shëngjin kanë mbërritur pushuesit e parë, më besnikët janë shqiptarët e Kosovës. Këtë vit ata po përballen me rritjen e çmimeve, duke nisur nga dhomat e hoteleve deri tek shezlonget.
"Çmimet janë pak më të rritura se një vit më parë. Shezlongët në këtë kohë (maj) me 500 lek, ndërsa vjet ishin me 300 lek. Edhe restorantet pak më shtrenjte, por si kudo", tha një pushues.
Një tjetër pushues shprehet se ka zgjedhur të bëjë pushimet në Maj, pasi "dhoma e hotelit përfshirë mëngjesin kushton 25 euro/ dita, ndërsa në korrik dhe gusht mund të jetë më shtrenjtë", tha ai.
Po operatoret turistik mohojnë se kanë rritur çmimet për shërbimet hotelerie dhe restorantet.
“Unë në hotelin tim nuk i kam rritur çmimet, koston e shtuar po e përballoj vetë, duke ulur normën e fitimit. Aktualisht dhoma nis me 25 euro dhe varion në bazë të kapacitetit dhe kushteve...Ndërsa çadrat janë 500 lek në vijë të parë dhe 300 lek në vijë të dytë”, tha Besnik Sula, operator turistik.
“Çmimet si një vit më parë, së paku deri tani nuk ka ndryshime”, tha Ben Lekaj, operator turistik.
Shëngjini është kthyer një nga destinacionet turistike më të pëlqyera nga vendas e të huaj, duke shënuar rritje të rezervimeve për këtë sezon.