'Shënime video'/ Artisti Driant Zeneli ‘rizbulon’ shkencëtaren e parë shqiptare përmes një filmi

22 Shkurt, 19:24| Përditesimi: 26 Shkurt, 18:46

  • Share

Një sekuencë e udhëtimit metaforik të jetës së një peshku është pjesë e filmit “Këto ujëra të ëmbla të turbullta”. Artisti Driant Zeneli ia dedikon fabulën e këtij video-arti shkencëtares së parë shqiptare, Sabiha Kasimatit.

Projekti u prezantua këtë javë në qendrën e artit “Agimi” duke shënuar takimin e katërt të ciklit “Shënime video”, në një bisedë të drejtuar nga kuratori Stefano Romano. Ideja e Zenelit, për të nxjerrë në pah sakrificat e Kasimatit për dijen dhe të drejtën lind 4 vjet më parë. Ai nis të hulumtojë në arkiva, mbi atë që mund të gjente nga vepra e saj.

Sabihaja u ekzekutua në ’51-shin bashkë me 21 intelektualë të tjerë me akuzën se kishin hedhur bombën në Ambasadën Sovjetike. ‘Paskuintat’ e punës që Zeneli rrëfen në këtë takim e sjellin më të plotë figurën e saj.

‘Ajo ishte peshku i vetëm i llojit të saj’, që në kohën kur studionte në Liceun Frëng si e vetmja nxënëse vajzë.

Siç thekson artisti, mund të kishte zgjedhur të fluturonte në Universitetin e Torinos ku u diplomua, por zgjodhi ujërat e liqenit, që diktatura do t’i turbullonte.

Edhe në film, artisti vë theksin tek rëndësia e kujtesës, që figura e Kasimatit të gjejë vendin e duhur në vendin tonë. Figurën e Sabihasë, Driant Zeneli e ka prezantuar edhe në rajonin e Puljas një vit më parë përmes një projekti ku përfshiu dhe të rinjtë. 

B.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?