Depo raketash e shkatërruar në Tabriz

Bota

Shënjestra të kryqëzuara mes Izraelit dhe Iranit: Në 6 ditë Tel Avivi goditi 1.100 objektiva, Teherani lëshoi 400 nga 2.000 raketat e tij

19 Qershor, 08:18| Përditesimi: 19 Qershor, 09:24

  • Share

Sfidat e objektivave: Izraeli flet për dy javë të tjera “fushatë”, Irani kërcënon me ndëshkime të rënda. Satelitë, të dhëna, skenarë të zgjeruar. Ka të vrarë, ushtarakë dhe civilë.

Objektivat

Një artikull i Haaretz ofron versionin izraelit mbi përgatitjet, duke pohuar se ekzistonin plane, por jo të detajuara. Prandaj, në nëntor u mbajt një takim i parë me 120 oficerë që hartuan një listë të përkohshme objektivash. U analizuan mbrojtjet, pengesat, rreziqet e një armiku tashmë të dobësuar nga operacionet e mëparshme. Megjithatë, sipas gazetës, dolën vështirësi për të ndërtuar një pamje të plotë që të justifikonte një sulm frontal.

Në shkurt, Tel Avivi siguroi të dhëna të rëndësishme të inteligjencës, të cilat sollën një kthesë. Haaretz nuk specifikon natyrën apo burimin e informacionit, por përmend se falë kësaj “çarjeje”, projekti 'Rising Lion' mori hov. IDF krijoi një task-forcë me 600 anëtarë me grada të ndryshme që hartuan një listë objektivash të ndarë në tre kategori: komandantë/drejtues, sektori raketor, dhe impiantet bërthamore. Dhe puna mbi kundërmasat ekzistuese ose joekzistuese të miratuara nga Garda Revolucionare filloi përsëri.

Detyra iu besua inteligjencës ushtarake — Aman — në bashkëpunim me aviacionin. Në të njëjtën kohë, Mossad aktivizoi “spiunët” e tij, informatorë dhe bashkëpunëtorë për të përhapur kaos në qytete apo për të kryer vrasje të shënjestruara.

Sulmi

Shifrat ndryshojnë vazhdimisht, propaganda “bën zhurmë”. Bilanci i parë tregon se Izraeli ka goditur mbi 1.100 objektiva, ka shkatërruar rreth 70 bateri kundërajrore dhe ka eliminuar mbi 200 lëshues raketash. Janë vrarë më shumë se 100 oficerë të lartë dhe 14 shkencëtarë.

Dëme të mëdha janë shkaktuar në impiantet atomike të Natanzit, Karajit, Isfahanit dhe Teheranit. Shumë nga centrifugat për pasurimin e uraniumit janë nxjerrë jashtë funksionit, një detaj i konfirmuar edhe nga AIEA. Jashtë sulmit ka mbetur Fordow, laboratori i ndodhur në thellësi të malit dhe për këtë arsye i paarritshëm. Sipas ekspertëve, vetëm bombat amerikane GBU-57 të hedhura nga bombarduesit B-2 mund ta shkatërrojnë. Tel Avivi reagon duke thënë se mund të veprojë vetëm dhe nuk ka nevojë për ndihmën e SHBA.

Vlerësimi i përgjithshëm është se programi bërthamor nuk është kompromentuar, efektet e goditjeve janë ende të kufizuara. Analiza shoqërohet me mendimin se Netanyahu mund vetëm ta vonojë projektin, teksa mes shërbimeve të inteligjencës ka diskutime për sa afër janë ajatollahët me prodhimin e armës bërthamore.

Bastisje të forta janë kryer ndaj bazave dhe fabrikave të raketave. Disa prej tyre, të ndodhura nëntokë, nuk janë “prekur” thellësisht, por goditjet kanë penguar daljen e mjeteve. IDF ka kaluar më tej duke goditur ministri, kazermat, shtabet e aparatit të sigurisë dhe madje infrastrukturën.

Reagimi

Irani ka lëshuar mbi 400 nga 2.000 raketat e tij, duke shënjestruar zonën qendrore dhe veriore të Izraelit. Në disa raste raketat kanë depërtuar mbrojtjen ajrore, me 35 “goditje” pranë Ministrisë së Mbrojtjes dhe selive të inteligjencës, brenda rafinerisë së Haifës dhe në zona të banuara për të rritur mundësinë e goditjeve për shkak të saktësisë së kufizuar të kokave luftarake.

Janë përdorur rreth 1.000 dronë kamikazë (Shahed 136 dhe 101, Arshad 2), por efekti ka qenë minimal pasi janë rrëzuar nga kundërajrorja. Edhe pse kundërajrorja iraniane është dëmtuar rëndë, ajo ka arritur të rrëzojë dje një dron sulmues Hermes 900, me kosto 5 milionë dollarë. Pasdaranët kanë “ruajtur” një pjesë të armëve për një luftë konsumimi, ose sepse parashikojnë përballje me SHBA. Për sa i përket modeleve të përdorura, ata kanë përmendur sistemet Haji Qasem, Fattah 1 dhe Emad.

Vëzhguesit kanë vënë re një intensitet më të ulët lëshimesh në krahasim me një vit më parë, një ngadalësim që lidhet me probleme koordinimi, por edhe me strategjinë e “durimit heroik”, në përputhje me deklaratat e fundit të Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei, që përjashton çdo dorëzim.

Municionet e Izraelit

Çështje mbetet furnizimi me raketa interceptuese izraelite. Ushtria po harxhon shpejt sistemet Arrow, raketat interceptuese që ndalojnë kërcënimet në lartësi të mëdha. Brenda 10 ditësh, sipas mediave amerikane, Izraeli mund të mbetet pa rezerva, nëse SHBA nuk dërgon sasi të reja. Vëzhguesit e trafikut ajror kanë vënë re një fluks avionësh të ngarkesave ushtarake të Pentagonit drejt Izraelit. Në C17 mund të ndodhen furnizime të reja./Corriere della Sera

Xh.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Çmimet më të larta se në BE, a mendoni se duhet të ndërhyjë qeveria?