Besnik Bakiu dhe Ilir Proda

Kronikë

Shërbeu 44 vite në Polici/ Proda i akordon 'Certifikatën e Karrierës' Drejtuesit të Parë, Besnik Bakiut

8 Gusht, 13:33| Përditesimi: 8 Gusht, 14:33

  • Share

Pas 44 viteve të mbushura me përkushtim, ndershmëri dhe sakrifica, në radhët e Policisë së Shtetit, oficeri i karrierës, Drejtues i Parë Besnik Bakiu, mbylli sot shërbimin aktiv, duke dalë në pension, por jo duke u ndarë nga misioni i tij.

Për kontributin e tij të çmuar, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda i akordoi Certifikatën e Karrierës, me motivacionin “Për merita të veçanta, profesionalizim dhe përkushtimin e treguar në përmbushjen cilësore të detyrave dhe kontributin e dhënë gjatë viteve të punës në shërbim të Policisë së Shtetit”.

Gjatë ceremonisë së organizuar për këtë qëllim, Drejtori i Përgjithshëm Ilir Proda ka vlerësuar maksimalisht Drejtuesin e Parë Besnik Bakiu, për gjithë kontributin e dhënë, si dhe për vlerat e tij edhe në fushën e krijimtarisë dhe gazetarisë.

“Të shërbesh 44 vite në Policinë e Shtetit dhe ta mbyllësh me nder këtë rrugëtim kilometrik, është krenari për ty në radhë të parë, për familjen tënde, për ne, Policinë e Shtetit, dhe për shoqërinë ku bën pjesë. Dera e shtëpisë sonë është përherë e hapur për të dhënë këshillat e tua të vyera për përmbushjen sa më cilësore të shërbimit ndaj qytetarëve dhe ligjit”, tha Proda.

Drejtues i Parë Besnik Bakiu falënderoi Drejtor Prodën, për certifikatën.

“Tashmë do të vijoj të jem një zë i fortë në media dhe në shoqërinë civile, ku do të aderoj për të mbrojtur e vlerësuar angazhimin, përkushtimin dhe sakrificën e punonjësve të Policisë së Shtetit. Për më shumë se 4 dekada jam përpjekur të respektoj ligjin dhe qytetarët dhe kam guxuar të shkruaj në media shumë herë për përbaltjen e padrejtë të Policisë së Shtetit, gjë që tashmë do ta bëj akoma më shumë dhe më mirë”, tha Besnik Bakiu.

Drejtues i Parë Besnik Bakiu, përveçse një oficer i dalluar, është studiues dhe shkrimtar, i përkushtuar ndaj kërkimit dhe dokumentimit të historisë, sfidave dhe arritjeve të Policisë së Shtetit. Me daljen në pension, ai do t’i bashkohet shoqërisë civile, duke vazhduar të shkruajë, të ndajë përvojën e tij dhe të mbrojë me fjalë dhe fakte figurën dhe sakrificën e punonjësve të Policisë.

Ky është një mision që nuk matet me vite shërbimi, por me gjurmët e lëna në zemrat e kolegëve dhe në kujtesën e shoqërisë.

Policia e Shtetit i uron shëndet, mbarësi dhe frymëzim në kapitullin e ri të jetës dhe e falënderon për shërbimin dhe shembullin që ai ka dhënë.

Xh.K/V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A po i liron hapësirat publike aksioni i qeverisë?