Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit, ministrja Ogerta Manastirlu bashkë me mjekë dhe profesionistë të shëndetit publik kanë zhvilluar një aktivitet me mësueset, prindërit dhe nxënësit e gjimanzit “Sami Frashëri” në kryeqytet.
“Sot çdo grua mundet që të bëjë mamografinë falas në spitalet e vendit. Çdo spital rajonal sot ka mamografi. Ne Tiranë kemi rinovuar mamografinë në Poliklinikën Qëndrore por edhe në Spitalin Onkologjik gjithashtu është funksionale mamografia. Ndërkohë që nëpërmjet mamografëve të lëvizshëm ne jemi në të gjithë vendin përgjatë gjithë vitit për të bërë të mundur që gratë në zonat periferike, jo në zonat rurale të kenë akses në shërbimin e mamografisë”, tha Manastirliu.
Gjatë fjalës së saj, Ministrja Manastirliu bëri me dije se është hapur thirrja për punësimin e 50 psikologëve, për një vëmendje socio-shëndetësore ndaj çdo pacienti.
“Në kuadër të Strategjisë Kombëtare të Kujdesit Parësor, ne kemi vendosur një objektiv për të riorganizuar kujdesin parësor dhe për t’i dhënë fokus më shumë integrimit të shërbimeve socio-shëndetësore. Ndaj, duke fillluar nga dita e sotme ne kemi hapur thirrjen për aplikim për 50 psikologë, të cilët do t’i atashohen 50 qendrave tona shëndetësore, për të adresuar çështjet e shëndetit mendor, për të adresuar çështje të cilat në komunitet kanë një rëndësi parësore, që lidhen direkt me mirëqenien psiko-sociale, psiko-emocionale dhe gjithashtu mbështetjen që duhet të ofrojnë profilet e punonjësve, si psikologë apo punonjës social në strukturat e kujdesit shëndetësor”- tha Manastirliu.