Sherden
Përbërësit:
- 3 qepë
- 1 karrotë
- 1 lgj gjalpë
- 2 lugë supe oriz
- 1/2 tufë majdanoz
- Rrënjë selinoje
- Të brendshme qengji
- Pëlhurë qengji
- Gjethe dafine
- Kripë, piper i zi, piper i kuq
- 3 vezë
- 4-5 lugë kos
- 2 thelpinj hudhër
Përgatitja:
Kaurdisim qepët e prera imët së bashku me karrotën dhe selinonë e grirë në rende. Ndërsa të brendshmet (mushkëritë, zemra, veshkat) të prera në copa të vogla i vendosim të ziejnë. Pasi të zbuten pak, shtojmë mëlçitë e prera në kubikë të vegjël, dafinën dhe së bashku i lëmë të ziejnë edhe 5 minuta. Ndërkohë orizin e kemi zier në ujë me kripë për 10 minuta. E shpëlajmë orizin dhe e shtojmë tek perimet e kaurdisura së bashku me të brendshmet. Rregullojmë shijen me kripë dhe erëza. Pëlhurën e vendosim në ujë të nxehtë, më pas e kullojmë, e shtrijmë mirë mbi tryezën e punës dhe e presim në disa pjesë në formë katërkëndëshi. Në çdo pjesë vendosim nga mbushja e përgatitur, pastaj mbështjellim sarmat të cilat i vendosim në tavë qelqi që reziston në zjarr. Hedhim pak verë të bardhë ose ujë të vakët dhe i vendosim në furrë të nxehtë në temperaturë 200 gradë për t'u pjekur për 20 minuta. Në fund, sipas dëshirës mund të hedhim vezë të rrahura me kos, kripë dhe hudhra të shtypura. E vendosim dhe 5 minuta të tjera në furrë sa të mpiksen pak vezët, por të mbesin të buta.