Një konflikt i dhunshëm është regjistruar ditën e sotme jashtë ambienteve të gjimnazit ‘Ibrahim Rugova’ në Kamëz në bulevardin ‘Nënë Tereza’.
Dhuna mes të rinjve të moshës 15-17 vjeç, ka degraduar në përdorimin e thikave ku dy prej tyre kanë mbetur të plagosur pas goditjeve të marra në gjoks.
Dy nxënësit e lënduar i përkasin moshës 16-vjeçare ndërsa ndodhen në spital ku i janë nënshtruar ekzamimimeve mjekësore ndërsa gjendja e tyre raportohet të jetë stabël. Gjithashtu është dëmtuar lehtë dhe një tjetër bashkëmoshatar, i cili ndodhet jashtë rreziku për jetën.
Rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta ndërsa në komisariat janë shoqëruar disa persona, të cilët po japin dëshmitë me qëllim zbardhjen e plotë të rastit.
“Rreth orës 10:50, te bulevardi “Nënë Tereza”, në rrugë, dyshohet se janë konfliktuar për motive të dobëta, disa shtetas të mitur, të moshave 15-17 vjeç.
Gjatë konfliktit janë dëmtuar, dyshohet me mjet të mprehtë, dy 16-vjeçarë, të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve. Është dëmtuar lehtë dhe një bashkëmoshatar i tyre, i cili është jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar disa shtetas dhe po marrin deklaratat e tyre.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të rastit, identifikimin dhe kapjen e të gjithë shtetasve të përfshirë në konflikt”, njofton policia.
Komente
