Sulmet në internet sa vijnë dhe shtohen. Jo vetëm personazhe të njohur të ekranit por edhe njerëz të thjeshtë kanë rënë pre e konflikteve
Sherret gjatë komunikimeve LIVE në Tik TOK mes Rigels Rajkut dhe Kleviol Ahmetit, të njohur me emrin e artit Noizy dhe Cllevio Serbiano, u zhvendosën në rrugë.
Në 6 qershor 2022 Cllevio u rrah nga Noizy dhe pjesëtarë të grupit para lokalit të tij në Durrës. Në shenjë hakmarrje, Kleviol Ahmeti me ndihmën e mikut të tij Laert Haxhiu, emër i njohur i botës së krimit, urdhëroi vendosjen e tritolit në biznesin e Noizyt, po në qershor 2022.
Ahmeti sipas policisë rezulton porositës edhe për djegien më datë 2 dhjetor 2023 të makinës së Kozak Braçit, personazh i njohur në rrjete sociale. Edhe kjo ngjarje ka për zanafillë sherret gjatë komunikimeve LIVE mes tyre në Tik Tok.
Më 20 janar 2020, i riu Vilson Tafçiu u vra në zonën e Astirit nga Noel Dishi, për shkak të një sherri i cili agravoi pas postimit të fotos së një vajze në Instagram, me të cilën viktima pretendonte se ishte i lidhur.
Në gusht 2022, policia e Elbasanit arrestoi 3 persona, të cilët dhunuan dhe i morën 2000 euro të riut Aqif Abazi, pasi kishte postuar në Instagram mjetin e njërit prej autorëve, ndërsa bënte thirrje për të gjetur pronarin e makinës, me pretendimin se ky i fundit i kishte vështirësuar qarkullimin në rrugë.
Në orët e para pas mesnatës së 14 prillit 2023 Klajdi Mancaku qëlloi me armë zjarri në drejtim të 3 personave, Mario Vrioni, Jurgen Vrioni dhe Arben Haxhiu, duke plagosur dy të fundit. Gjithçka ndodhi si pasojë e një sherri verbal në Tik Tok lidhur me muzikën që krijonin 3 të rinjtë, e cila nuk pëlqehej nga Mancaku.
Po në Durrës, më 6 prill 2023, dy të rinj, Xheson Metushi dhe Bekim Grifshi u plagosën gjatë një konflikti fizik me thika, i cili eskaloi pas një sherri online në Tik Tok.
Në 16 maj 2023, një 15-vjeçar mbeti i vdekur dhe bashkëmoshatari i tij u plagos në Gramsh, pas një sherri me thika që kishte nisur fillimisht me komente dhe mesazhe në Tik Tok.