Dy të mitur kanë rënë në prangat e policisë pasi një ditë më parë plagosën me thika tre bashkëmoshtarë pas një sherri pranë një parkingu në Kamzë, pranë gjimnazit “Ibrahim Rugova”. Nga burimet për Report Tv sherri mes gjimnazistëve kishte nisur para dy ditësh me pretendimet 'Pse më sheh'.
Njëri prej adoleshentëve i cili ,mori dy plagë në kraharor, njëra prej të cilave i preku mushkërinë ndodhet ende nën kujdesin e mjekëve, 16-vjeçari tjetër i cili ka plagë po në të njëjtin vend është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa i lënduari i 3-të, është larguar në banesë, me dëmtime të lehta.
Policia vijon hetimet për gjetjen e thikës që është përdorur gjatë sherrit mes 5 adoleshentëve.
"Në vijim të hetimeve të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për sqarimin e rrethanave të konfliktit të datës 02.10.2025, në bulevardin “Nënë Tereza”, në të cilin u përfshinë 5 shtetas të mitur, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5, në praninë e prindërve, psikologut dhe mbrojtësve ligjorë, kryen veprimet procedurale për arrestimin në flagrancë të dy 16-vjeçarëve.
Të miturit e arrestuar dyshohet se kanë dëmtuar me mjet prerës (thikë) dhe me grushte, 3 të miturit me të cilët janë konfliktuar për motive të dobëta. Njëri prej të dëmtuarve është aktualisht në kujdesin e mjekëve, ndërsa 16-vjeçari tjetër, jashtë rrezikut për jetën. I dëmtuari i 3-të, është larguar në banesë, me dëmtime të lehta. Punohet për gjetjen e mjetit prerës të përdorur", njofton Policia e Tiranës.
Rastet e dhunës që degjeneron deri në përdorimin e armëve të ftohta janë shtuar vitet e fundit. Më 14 gusht, një 14-vjeçar u vra nga bashkëmoshatari i tij në Pirg të Maliqit. Ndërsa një vit më parë mbeti i vrarë pas një sherri me thikë Martin Cani, nxënës i shkollës “Fan Noli” në Tiranë.
Komente

Ka kry ky vend gjfar pjellë po rritet mjer print .
Përgjigju