Policia e Tiranës ka shoqëruar 5 fëmijët e mitur, të cilët u përfshinë në një konflikt fizik jashtë ambienteve të shkollë ‘Kongresi i Manastirit’. Sipas policisë në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në prezencë të prindërve dhe të punonjësve socialë, janë shoqëruar dhe po intervistohen 5 të mitur të moshave 13 dhe 14 vjeç (një djalë e 4 vajza).
‘Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë
Në lidhje me një video të publikuar në portale ditën e sotme, në të cilën shfaqen disa të mitura që dhunojnë një bashkëmoshataren e tyre, ju sqarojmë se:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, menjëherë pas publikimit të pamjeve filmike, organizuan punën për identifikimin e shtetaseve që shfaqen në video si dhe sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Pas verifikimeve të kryera për identifikimin e tyre, në bashkëpunim edhe me drejtorinë e shkollës, u bë i mundur identifikimi i një të mituri që kishte filmuar konfliktin, si dhe identifikimi i 4 të miturave të përfshira në konflikt.
Në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në prezencë të prindërve dhe të punonjësve socialë, janë shoqëruar dhe po intervistohen 5 të mitur të moshave 13 dhe 14 vjeç (një djalë e 4 vajza).
Nga verifikimet paraprake të kryera, ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur me datë 15.02.2023, në rrugën "3 Dëshmorët", dhe jo në ambientet e shkollës "Kongresi i Manastirit".
Vijon puna për sqarimin e rrethanave të konfliktit nëpërmjet shtetaseve të mitura.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.’- njofton policia.
Lajmi kryesor:
E rëndë në Tiranë! Sherr mes vajzave të një shkolle 9-vjeçare, zihen me grushte e shkelma dhe shajnë njëra-tjetrën! Shoqërohen bashkë me prindërit në Polici (VIDEO)
M.Q./ReportTv.al