Cilësohen shpesh si gjaku ynë i shprishur dhe janë një dëshmi e rrënjëve tona, që prej gati 6 shekujt janë pjesë e jetës dhe kulturës italiane.
“UDHA” - Një gjak, një gjuhë, një besë- titullohet dokumentari me protagonistë Lorik Canën dhe Arbër Agalliun, që është shfaqur premierë për publikun mbrëmjen e kësaj të enjteje në kinema “Millenium” në Tiranë. Dokumentari serial me regji të arbëreshit Alessandro Ferrantelli shoqëron publikun në zbulimin e Arbërisë siçiliane dhe kalabreze.
Rrugëtimi i Canës dhe Agalliut nis nga qyteza arbëreshe Hora e Arbëreshëvet (Piana degli albanesi) në provincën e Palermos për të mbërritur më pas në Kalabri, duke treguar jetën e përditshme dhe festat e komuniteteve arbëreshe në qytezat e Çiftit, Shëngjin Sofisë, Shëngjin Mitrit, Firmozës, Ungrës dhe Falkunarës.
“Nuk duhet parë si diçka e kaluar, është një realitet që është pjesë e përgjithshme e kombit tonë. Jemi me fat që i kemi në anën tjetër Adriatikut. Nuk janë pak. Kanë shërbyer në momente të rëndësishme të historisë sonë. Ne shqiptarët nuk kemi vetëm arbëreshët në Itali prej 550 vjetësh. Çdo shqiptar që ka ikur në emigracion këto 20-30 vitet e fundit është një arbëresh.”, - shprehet Lorik Cana, i cili është njëkohësisht edhe producent i filmit së bashku me Arbër Agalliun.
“Kemi sjellë një copëz të Arbërisë në Tiranë. Është një punë jo e lehtë të ndjekësh komunitetet arbëreshe. Ju e dini që arbëreshët vetë quhen “Gjaku ynë i shprishur”. Ata gjenden në më shumë se në 50 bashki të italisë juglindore mund të themi. Ne kemi arritur të bëjmë një tur të shpejtë. Nuk kemi arritur të prekim gjithë qytezat arbëreshe. Është thuajse e pamundur. Por kemi patur fatin që jo vetëm të njohim dhe të jetojmë përditshmërinë e arbëreshëve. Kemi patur fatin të flasim gjuhën arbëreshe, ia kemi mësuar dhe Lorikut. Këtë e kemi bërë edhe falë stafit dhe regjisorit të dokumentarit, një figurë arbëreshe.”, - thotë Agalliu.
Komunikimet në dokumentar janë në shqipen e arbëreshëve, duke u dhënë zë pa dallim dhe ka si synim mbi të gjitha njohjen e publikut me atë gjuhë, të cilën vëllezërit tanë të përtej detit kanë përcjellë deri ditët e sotme prej epokës së Gjergj Kastriotit.
“Ka shumë punë pas një dokumentari, por krijon një emocion shumë të bukur. Tregoj një shërbesë. Mendoj se sot kjo është puna jonë, por nesër unë do të nxis gjithë njerëzit që janë këtu të shkojnë në katundet arbëreshe. Ne do të bëjmë këtë lidhje me ju.”, - shprehet në arbërisht regjisori Alessandro Ferrantelli.
Një kontribut thelbësor për veprën dha edhe Instituti Italian i Kulturës.
“Prezenca e komunitetit arbëresh në Itali është prej qindra vitesh dhe është thelbësore dhe dëshmon afrinë mes dy vendeve. Por është edhe dëshmi mjaft e rëndësishme e diçkaje që shohim pak, e faktit që Italia në realitet është një vend plural që ka gjuhë të ndryshme, tradita dhe kultura të ndryshme, që janë përzier për të krijuar kulturën italiane. Këtu ka kontributin e vet edhe komuniteti arbëresh. Vlera e komunitetit shqiptar në Itali nuk është thjesht në mirëmbajtjen e traditave, por edhe në kapacitetin për të kontribuar në ndërtimin e historisë italiane në përgjithësi.”, - thotë Alessandro Ruggera, drejtues i Institutit Italian të Kulturës në Shqipëri.
Shfaqja e dokumentarit- prodhim i Fondacionit “Lorik Cana 5” u ndoq nga një bashkëbisedim mbi temën e ruajtjes së traditave arbëreshe në Itali.