Një dokumentar për shqiptarët që luftuan në Siri dhe gratë e fëmijët që kanë mbetur ende atje, u shfaq premiere në Shkodër. Autori është gazetari i njohur, Taulant Koplikaj, i cili shprehet se është e nevojshme riatdhesimi i të gjithë shqiptareve në kampe.
"DAESH" është dokumentari i gazetarit Taulant Koplikaj që u shfaq premierë për publikun shkodran në Kinema Millenium.
Lindja, shkëlqimi dhe rënia e organizatës terroriste ISIS, përfshirja e shqiptarëve në këtë organizatë përmes rekrutimeve okulte dhe fati i grave dhe fëmijëve shqiptarë në kampet siriane, erdhën në një narrativë analitike të Koplikajt dhe emrave të njohur të gazetarisë shqiptare. Gjithashtu përmes intervistave dhe dëshmive reale të të mbijetuarve të terrorizmit sollën dritë-hijet e luftës në tokat e Shamit.
Gazetari Taulant Koplikaj apeloi për ritatdhesimin e të paktën 50 fëmijeve dhe grave që gjenden akoma ne kampet e tmerrit.
'Shkuam në qytetin Raqqa-s, që është simbloi i ISIS dhe treguam rrëfime personale të njerëzve që kanë vuajtur në dhunën e ISIS. Hap tjetër kanë qenë kampet, kemi shkuar në dy kampet kryesore të xhihadistëve dhe jemi munduar të sjellim sa më shumë dëshmi të grave e fëmijëve. Fati i mirë deshi që pas kësaj pune të mirë, u tërhoq një pjesë e tyre, por s'duhet të harrojmë se atje janë ende 50 gra e fëmijë që rrezikojnë të radikalizohen', tha gazetari.
Për 60 minuta dokumentari përcolli dëshmi, emocione duke sjellë për herë të parë rrëfimin e një shqiptari nga Kosova që akuzohet si luftëtar i ISIS dhe që mbahet në burgjet e autoriteteve siriane.
Në fund të premierës, Unioni i Pavarur i Gazetarëve i dha Çmimin “Hamid Boriçi” gazetarit Koplikaj për mediatizimin e historisë së Alvin Berishës dhe shqiptarëve të tjerë që u shpëtuan nga kampi Al-Hol.