Shfaqja e Ballshit është një këmbanë alarmi dhe për besimin tek drejtësia e re

4 Korrik 2020, 18:35| Përditesimi: 4 Korrik 2020, 18:37

  • Share

Gjatë periudhës së pandemisë kur të gjithë ishim të izoluar dhe fokusi kryesorë ishte që t’ia dilnim mbanë dhe të mos prekeshim nga virusi COVID-19, FSHF-ja me në krye Armando Dukën dhe disa personazhë të tjerë e kishin gjithë vemendjen tek paratë.

Ata i bënin vazhdimisht thirrje qeverisë që të ndihmonte sportin, duke shprehur mërzinë e tyre pse nuk ishin të përfshirë në paketat e ndihmës ekonomike të aplikuara nga ana e qeverisë. Mediat sportive në atë periudhë ishin të gjitha në krah të presidentit Armando Duka (siç janë në çdo gjë), duke e  mbështetur idenë e tij që qeveria duhej të jepte një mbështetje financiare për futbollin.

Në një shkrim timin në atë periudhë kam qenë pro vendimit të qeverisë, jo se futbolli nuk e meriton që të ketë vemendjen e shtetit dhe të ndihmohet në të gjitha drejtimet, por ky lloj futbolli që ne shohim prej më shumë se 20 vitesh, ku gjithçka është e paracaktuar dhe loja është jashtë rregullave të fair-playt, nuk e meritonte ndihmën e qeverisë përpara shumë bizneseve dhe familjeve që ishin realisht në nevojë, të cilët kishin përbëlle disa presidentë futbolli që janë bërë milionerë me trukime ndeshjes.

Dhe jemi afërsisht rreth 2 muaj që nga ajo periudhë dhe këtë të enjte na u përplas në fytyrë një tjetër ndeshje që ishte fyese për të gjithë opinionin sportiv.

Takimi Bylis-Tirana në Kupën e Shqipërisë ditën e enjte arriti kulmin me tolerimin e turpshëm që bardheblutë bën në 45 minutat e pjesës së dytë.

Aty futbolli i ndershëm dhe i luftuar ishte në një plan të dytë, pasi vëmendja kryesore ishte se si të hapej porta dhe rezultati të dilte siç e kishin dakordësuar para 90- minutave. Nuk është ndonjë çudi që këtu tek ne rezultatet e ndeshjeve vendosen përpara takimit, se të tilla skena si ajo e së enjtes kemi parë shpesh herë, biles dhe më qesharake.

Por me atë shfaqje, Tirana njollosi një sezon fantastik që kishte kryer deri para atij takimi. Nuk e di se me çfarë morali klubi bardheblu mund të dali para tifozëve për të ngritur një titull që realisht këtë sezon e kanë merituar, por ajo ndeshje do të mbetët një njollë e rëndë që do e përndjek gjithnjë nëse nuk gjenden dhe ndëshkohen autorët.

Justifikimet e klubit të Tiranës, duke ia hedhur fajin mediave pse po i bënin jehonë asaj ndeshjeje skandaloze në Ballsh, thjesht sa e nxiu më shumë faqen e tyre.

Është fakt tashmë se trukimet haptazi të ndeshjeve vijojnë të mbeten një plag e rëndë në futbollin shqiptar, duke u shëndërruar në një sëmundje të pashërueshme. Që të shpëtojmë sadopak nga ky fenomen, (se vështirë se ky ves do të zhduket në këtë futbollin tone) nuk duhet lënë më në dorë vetëm të Komisionit të Etikës në FSHF, që vështirë se do të bëjë ndonjë gjë të jashtëzakonshme, pavarsisht deklaratës së kanë “nisur hetimet” për ndeshjen në fjalë.

Këtu, fatkeqsisht po ndeshemi dhe me një Prokurori që ka mbyllur sytë përpara të tillave skandaleve që po ndodhin në sy të të gjithëve dhe nuk po ndërmerr asnjë hap për të nisur hetimet.

Shteti shqiptar dhe prokuroria po bëhen fatkeqsisht bashkëpuntorë në këtë “krim’’, që po i largon tifozët çdo ditë e më shumë nga shkallët e stadiumeve, se FSHF-ja e Armando Dukës ka vite që i mbyll sytë dhe i mbështet të tilla shfaqje të turpshme.

Institucionet e Drejtësisë duhet të marrin menjëherë situatën nën kontrroll për të hetuar të tilla fenomene dhe të çojë para drejtësisë të gjithë ata persona që po vrasin edhe këtë gjë argëtuese që ka mbetur në këtë vend.

Nuk duhet që të bëhemi gjithnjë gazi i botës kur na vijnë dënimet nga UEFA.

Në një vend ku Institucioni i FSHF-së është pal në këtë “krim”, është përgjegjsi dhe detyrim i shtetit dhe këtyre Insitucioneve të Drejtësisë që të vendosë pikat mbi i.

Në rast se drejtësia në futboll nuk do të vihet në vend pas gjithë këtyre ndeshjeve të turpshme, shfaqja e së enjtes thejshtë do të pasohet dhe do shtohet akoma dhe më shumë, ku një pal do të vijojë të pasurohet me të tilla takime, përballë një shteti dhe drejtësie që mbron “krimet” e futbollit./ Tema

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?