Shfaqja ‘Hije’ mbërthen publikun te ‘Eksperimentali’, në skenë edhe 3 aktore shqiptare! Regjisorja: Hera e dytë në Shqipëri, punuam shumë

28 Tetor, 16:32| Përditesimi: 28 Tetor, 16:36

  • Share

“Hije” është shfaqja teatrore me regji nga Sabine Mitterecker, e cila vjen premierë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental.

Bazuar në veprën e fitueses së çmimit “Nobel”, Elfride Jelinek, shfaqja erdhi për publikun në anglisht, e përkthyer nga Gitta Honegger.

Orfeu dhe Euridika janë mishërimi i të dashuruarve. Kur Euridika vdes para kohe pasi pickohet nga një gjarpër, Orfeu futet në botën e nëndheshme për ta rikthyer në jetë, duke magjepsur me muzikën e tij Hadin. 

Por çfarë ndodh nëse Euridika nuk dëshiron të kthehet? Po nëse ajo refuzon të shihet si simbol i dashurisë së tij që ai ka nevojë për ta shpëtuar? Çfarë ndodh nëse ajo hedh poshtë versionet e identitetit femëror që i ofrohen? I flak ato sikur të ishin rroba të stinës së kaluar?

E sjellë në bashkëpunim me “Theaterpunkt” nga Vjena, në skenë u ngjitën aktoret shqiptare Adriana Tolka, Albana Kocaj dhe Flobensa Bazati.

“Është hera ime e dytë në Shqipëri. Sjellim për herë të parë në Shqipëri veprën e Jelinek, “Hije” dhe kemi pasur bashkëpunim shumë të mirë. Kemi punuar shumë dhe shpresojmë që publiku ta shijojë. Është plot humor dhe plot gjetje interesante”, thotë regjistroja Sabine Mitterecker.

Miti i lashtësisë greke dhe realiteti modern femëror janë të ndërthurura ngushtë në tekstin e Elfriede Jelinek, që na flet nga perspektiva e një zëri të papritur.

“Për mua si aktore ka qenë një sfidë shumë e madhe për faktin që ngjarja është në anglisht, që duhet të merresha vesh edhe në një gjuhë të huaj që normalisht nuk është gjuhë e parë dhe është akoma më e vështirë. Por mendoj që arrita t’ia dilja me sukses dhe të merrja një eksperiencë nga një regjisore shumë e mirë dhe që do të më vlejë për gjithë jetën. Morëm një trajnim më shumë se një proces provash dhe një shfaqje.

Euridika që unë luaj është një vajzë që nuk e pranon lehtë atë që i vjen. Do të bëjë revolucion, do të bëjë ndryshim dhe të mos jetë brenda kornizave. Është gjithmonë ajo që nuk pranon dhe jo ajo që i pranon lehtë gjërat: në këtë rast vdekjen dhe Orfeun”, u shpreh aktorja Flobensa Bazati.

“Hije” është shfaqur te Eksperimentali mbrëmjen e së dielës dhe do të vijë për publikun edhe mbrëmjen e kësaj të hëne.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?