Shfaqja ‘Kopshti i dallëndysheve” sjell pesë ‘të çmendurit shpirtëror’ në teatër

20 Dhjetor 2019, 17:27| Përditesimi: 20 Dhjetor 2019, 17:52

  • Share

Të gjithë jemi të sëmurë shpirtëror. Këtë mund të vërtetojmë në shfaqjen “Kopshti i dallëndysheve” i autorit Babis Cikliropulos me regji të Kiço Londos që ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental Kujtim Spahivogli, e zhvendosur tek Artubina.  Regjisori Londo e risjell këtë vepër nën lojën e pesë artistëve Ermira Hysaj, Erand Sojli, Arjola Demiri, Suela Bako, Mehdi Malkaj dhe Naun Shundi, të cilët vijnë si të sëmurë shpirtëror që janë izoluar në një çmendin. Aty ku gjenden edhe nën kujdesin e një psikiatre tinëzare. Ata na sjellin nëpërmjet lojës së tyre, se si në këtë botë mund të takojmë çdo ditë shpirtra të rrënuar nga masakra morale, lakmia dhe pangopësia  

 “Po risjell edhe një herë “Kopshtin e dallëndysheve” të autorit Babis Cikliropulos. Sa herë jam në pozitë të vështirë më kujtohet “Kopshti me dallëndyshe”. Personazhe të tillë si në këtë shfaqje edhe idealist izolohen në çmendinë”, shprehet Londo.

Ndërsa, artistët flasin për rolet e tyre, pesha më e madhe në këtë shfaqje i bie aktorit Erand Sojli, jo sepse jo vetëm vjen si protagonist, por sepse vesh një rol, që më herët e ka luajtur aktori i mirënjohur Agim Qirjaqi.

 “Roli im është ai që ka interpretuar i madhi Agim Qirjaqi. Është fat, por edhe përgjegjësi njëkohësisht. Nuk është pjesë filozofike, por është e thjeshtë edhe flet për disa të sëmurë mendor, por që në të vërtetë janë të sëmurë shpirtëror. Ne të gjithë si aktorë, mendoj se jemi të sëmurë shpirtëror. Mendoj se gjithë globi është në një moment të tillë, sepse të gjithë jemi të prekur nga gjëra themelore, siç janë dashuria, xhelozia edhe intriga”, thotë Sojli.

Shfaqja do të ngjitet në skenën e Artubinës në datat 23-24-25 dhjetor ora 20:00.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?