Historia e tri grave shkencëtare, si model frymëzimi për të rinjtë... Shfaqja “Mendje të bukura, shpirtra të lirë”, e vënë në sallën “Black Box” të Arteve, solli përmes zërit të gjimnazistëve nga “Andon Zako Çajupi” e “Qemal Stafa”, biologen shqiptare Sabiha Kasimatin, kimisten angleze Rosalind Franklin, e fizikanten Mari Kyri...
E frymëzuar nga Ina Kasimati, pjesa e shkruar nga Rovena Rrozhani u vu në skenë nga Suela Bako, për të evidentuar përmes teatrit kontributin e grave në shkencë, të pashkëputur nga vlerat e tyre humane.
Vlerat njerëzore, dinjiteti, mospajtimi me të keqen mbetën kolonë e historikut të shkurtër të Sabihasë, e para nxënëse vajzë e Liceut frëng në Korçë, ish shoqja e klasës e diktatorit, e cila kundërshtoi hapur udhëheqjen e tij...
Në dekada të afërta, sfidat në Shqipëri, Angli e Francë, për tri shkencëtare me potencial ishin të ndryshme. Ndërsa Franklin e Kyri, tentonin të fitonin terren në shkencën e kryesuar nga një frymë maskiliste e mosbesimi tek zbulimet e tyre, Sabihaja, e kthyer në vend pas studimeve në Itali, u bë dëshmitare e luftës mizore ndaj intelektualëve të vendit...
Pre e luftës së sistemit komunist ndaj elitës së vendit, ra edhe vetë. E para shkencëtare shqiptare, u dënua me vdekje nga regjimi komunist, në 51-shin, për shkak të bombës në Ambasadën Ruse...