Në muajin e tretë të këtij viti, “Metropol” vendos në skenë shfaqjen “Valët” të Virginia Woolf… I pari produksion për të rritur, jo vetëm për këtë teatër, por për të tri skenat teatrore të kryeqytetit…
Një instilacion korridorit, që i paraprin sallës së teatrit, përball publikun, me copëza të “Valëve” apo jetës së vetë autores. Në përshtatje të pjesës do të gjejmë pika takimi, që lipsen të verifikohen.
Sfidën për të punuar me Woolf e ka marrë regjisori Enke Fezollari, i cili ka bërë edhe dramatizimin e pjesës… ndërsa interpretimin ua beson 7 aktorëve të rinj…
“Fillimi biblik i Woolf, që në këtë vënie vjen më i zhurmshëm e traumatik, ngre siparin e një historie, pa histori e formë lineare. Ku personazhet në fakt nuk janë personazhe, por mendime, gjendje, që siç ka pranuar dhe vetë autorja, nuk zhvillohen në bazë të një drame, por sipas një ritmi që përsëritet njësoj siç ndodh me valët… Loja me elementët skenikë, si kompesatat e vjetra mbi të cilat shihet i shkruar emri i ndonjë personazhi, karriget, uji, ndihmojnë të mbahet ritmi përsëritës… Objektet ngrihen, rrëzohen, zhurmojnë, njësoj si personazhet, ose më saktë perceptimet.”- thotë ai.
Persival është emri i figurës qendrore, që në fakt ekziston vetëm në kujtimet e personazheve të tjerë. Të gjashtë zërat përcjellin izolimin, zhgënjimin, përdorimin e bukurisë për të tërhequr vëmendje, abuzimin seksual, arratinë nga normaliteti, frikën nga vdekja… ndjesi ndoshta që ndoshta do të shuhen në përjetimin e dimensionit të detit… të valëve.