“Zogu i Zi” në teatër, regjisori: Vepra kalon me elegancë në tema të nxehta, në qendër ka dashurinë tragjike

6 Korrik 2019, 13:03| Përditesimi: 6 Korrik 2019, 13:17

  • Share

Historia e dashurisë tragjike mes një 12-vjeçareje, Unës dhe një 41-vjeçari, Reit, në shfaqjen “Zogu i Zi” i David Harrower, do të shoh dritën e skenës në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Nën petkun e personazheve kryesorë luajnë Laura Nexha dhe Alfred Trebicka. Gjithçka rifillon 15 vite pas ngjarjes që ka ngrirë në kohë, duke shkatërruar jetët e dy njerëzve, që u përfshinë në këtë marrëdhënie intime, e cila konsiderohet edhe më e komplikuar se marrëdhënia e një abuzuesi me viktimën. Regjisori Kiço Londo teksa rrëfen se është njohur për herë të parë më këtë vepër para 12 vitesh, shton, se ajo që e ngacmon më shumë është delikatesa më të cilën autori trajton këtë temë,  që synon të ngrejë debate për kufij, sidomos ligjor.

“Ngjarja e veprës është shumë delikate. Ka dy aspekte. Së pari, është aspekti njerëzor i marrëdhënies së një vajze të re me një burrë mesatar në moshë, që të çon menjëherë në mendje tek raporti i abuzuesit me viktimën. Natyrisht që aspektin ligjor është kështu, sepse ka një “abuzim”. Por në fakt optika e dramaturgut të madh skocez është matanë kufijve ligjor, sepse futet thellë njerëzore, në luhatjet e thella shpirtërore edhe psikologjike. Takimi pas 15 vitesh kur vajza është 27 vjeçe edhe  burri është 56 vjeç, moment që fillon edhe vepra. Është një takim që fillon si një ngërç, që gradualisht ne fillojmë që të kuptojmë se çfarë ka ndodhur 15 vite më parë, e cila edhe përse i ka prindërit është lënë në harresë. Edhe të një mashkulli që ka një lidhje formale”, thotë regjisori Kiço Londo.

Londo mendon se vepra edhe ngjarja nuk janë një kërkim, por janë një zbulim i madh. Pasi edhe përse vepra është shumë delikate, ai shton se nuk bëhet fjalë për abuzues dhe viktimë, e aq më pak për pedofili.

“Është një diskutim tejet të nxehtë, që shkel kufijtë ligjor, tradicional, që jemi mësuar. Kjo vjen si shkak i një uragani dashurie, që ndodh rrallë në botë, por ja që ndodh. Zbulon shumë mirë ndjenjat e çiftit edhe të gjithë shoqërinë, të gjithë kalbësirën e shoqërisë. Ka burg, seanca gjyqësore edhe psikologjike. Shoqëria është e orientuar në një plan tjetër, duke ruajtur kufijtë moral edhe ligjor, ndërsa çifti që takohen pas 15 vitesh janë në hapësira të tjera, mentale edhe shoqërore. Është një autopsi e thellë e të gjithë shoqërisë, familjes, nënës, policëve, komshinjve, gjykatave etj. Është një pasqyrë e fortë, që tregon deformimin edhe se si shoqëria përpiqet që të vendos kufij, ligje për t’u ruajtur nga vetvetja”, shton regjisori.

Vepra është në duart e tij, prej 12 vitesh. Ka qenë brenda tij edhe pse pasur disa tentativa për t’u vënë në skenën tonë.

 “Mendoj se erdhi momenti që ne të provokojmë diskutime rreth temave të nxehta. Një nga gjërat më delikate që trajton vepra është dialogu. Ne jemi një shoqëri që nuk dialogojmë, ndërkohë që përgjegjësitë janë shumë të mëdha. Shoqëria nuk flet dot për të vërtetën, edhe merret me barcaleta. Pa dyshim që unë besoj tek dashuria, besoj tek dashuria ekstreme, besoj tek ëndrrat edhe e di mirë, që edhe ëndrrat edhe dashuria tragjike kanë kosto të lartë, megjithatë unë i dua”, thotë Kiço Londo.

Për herë të parë Londo po punon me aktorin Alfred Trebicka dhe kanë një mirëkuptim, pasi po bëjnë përpjekje të përbashkëta për të realizuar këtë shfaqje. Ndërsa, për të Laura Nezha është pjesë e elitës teatrore, që po lind në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Vajza e vogël, Rexhina Ibro luan për herë të parë.

“Vepra është delikate, hyn në territore që ne nuk kemi dëshirë që t’i diskutojmë. Por abuzimi nuk ka moshë, vepra jonë kalon me elegancë në tema të nxehta. Dialogu, dashuria tragjike ka një fund që të bën të vuash për tërë jetën".

Shfaqja do të ngjitet në skenën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në datat 10 dhe 11 korrik, në orën 21.00.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?