Shfaqjet për vitin 2019, kritiku i artit: Në 30 vjet s’është menduar ndonjëherë për teatrin (VIDEO)

4 Janar 2020, 16:26| Përditesimi: 4 Janar 2020, 17:29

  • Share

Ndonëse, kryeministri Edi Rama, në një bilanc të fundvitit 2019, e konsideroi kulturën si një nga sektorët më të ‘artë’, që tejkaloi pritshmërit e parashikuara, duke renditur rreth 1130 shfaqje të prezantuara në skenat teatrore shqiptare, kritiku i artit Josif Papagjoni, njëkohësisht frekuentues i rregullt i këtyre veprave, teksa analizon nivelin e tyre. Ai argumenton, se numri i shfaqjeve nuk është tregues në një vend ku ka mungesë skenash teatrore, ka vëmendje të paktë ndaj statusit të artistëve, apo edhe shfaqjet që lënë gjurmë në 365 nuk janë më shumë se dy.

 “Ky vit në raport me vitet e tjera jo se është i jashtëzakonshëm, por as dështak, është një vit i rëndom, i zakonshëm, nuk ka ndonjë ngjarje të madhe në teatër... Kulmet e vitit 2019 në teatër do të gjykoja dy shfaqje, që më kanë lënë mbresa të thella, së pari shfaqja e Teatrit Kombëtar të Prishtinës, “Karnavalet e Korçës”, nën një regji brilante nga Altin Basha, një komedi klasike shqiptare, që unë e kam parë në katër versione. Edhe së dyti, “Kopshti i qershive” me regji të Dino Mustafic nga Teatri “Andon Zako  Çajupi” i Korçës, që ishte një tekst shumë i bukur. Regjisori i mbivendos kuptime të reja tekstit të Çehovit”, thotë kritiku i artit Josif Papagjoni.

Papagjoni i konsideron shfaqjet teatrore elitare, por vetëm për tekstet që kanë zgjedhur regjisorët, ndërsa për lojën e aktorëve shton se: “E kam të vështirë për të veçuar, por do të doja një lojë në nivelin e Liza Xhuvanit tek “Medea”, nuk e shikoj. Është shumë e vështirë që të mbërrijnë aktorët, duhet një përvojë e madhe, edhe emocionale, që aktorët të mbërrijnë tek publiku. Brezi i aktorëve sot, nuk gjykoj se mbërrin në nivelet e Ndriçim Xhepës, Luiza Xhuvanit edhe Yllka Mujës apo shumë aktorëve të tjerë, që kanë luajtur dikur etj. Shfaqjet behën më shpejt sot, jepen shpejt e shpejtë, shpërndahen të ardhurat që kanë për t’u shpërndarë edhe qëndrojnë shumë pak në repertor. Përpos, që ndikon edhe pjesa e asaj që quhet teatër i repertorit, ne nuk e kemi këtë”, argumenton Papagjoni.

Situata e krijuar në teatrot tanë në këto 30 vite, sipas kritikut të artit, është jo vetëm si pasojë e qeverisjes së të majtëve, por edhe të të djathtëve, që asnjëherë s’kanë menduar për statusin e artistit.

“Vajtëm 30 vjet, në 30 vjet ne nuk kemi ndërtuar asnjë teatër. Nuk ka kuptim, kemi mësuar fjalën trancizion, por janë 30 vite, është një brez. Edhe syri i qeverisë krahas shumë problemeve që ka, disa nga akumulimet duhet që t’i hedh edhe në teatër. Më duket e pajustifikuar, që në 3 dekada të mos ndërtojmë një teatër”, shprehet ai.

Për vitin 2020 kritiku Josif Papagjoni uron artistët që paçka trysnisë së jashtëzakonshme ku gjenden për shkak së situatës së krijuar, të gjejnë vetveten në kënaqësitë që fal arti, ndërsa, syri i qeverisë të jetë më i vëmendshëm ndaj teatrove.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?