Kronikë

Berat/ Shfrytëzonin të miturin për video banale në TikTok, Prokuroria kërkon 5 vite burg për babain dhe gjyshen: Bullizuan dhe ekspozuan të miturin ndaj lëndëve narkotike

12 Prill, 10:29| Përditesimi: 12 Prill, 15:30

  • Share

Prokuroria e Beratit kërkoi dënimin me 3 vite burg për Armand Kumarakun dhe 2 vite burg për nënën e tij, Natasha Rombollas, të akuzuar për veprën penale të “keqtrajtimit të të miturit”. Sipas dosjes hetimore, nënë e bir në mënyrë të vazhdueshme kanë keqtrajtuar fizikisht dhe psikologjikisht djalin e mitur 10 vjeç, duke përdorur gjuhë banale ndaj tij si dhe e detyruan të përdorë të njëjtin fjalor në rrjete sociale, YouTube dhe TikTok, duke e ekspozuar publikisht në mënyrë të papërshtatshme për moshën e tij. Përveç dënimit me burg, organi i akuzës kërkon edhe humbjen e përgjegjësisë prindërore ndaj fëmijës për Armand Kumarakun. 

Prokuroria thekson se i mituri ka qenë nën presion të vazhdueshëm, është ndjerë i kërcënuar dhe është përballur me bullizëm verbal, që ka ndikuar ndjeshëm në gjendjen e tij emocionale dhe psikologjike. Ai është detyruar të marrë pjesë në video në rrjetet sociale pa dëshirën e tij, ndërsa është konstatuar edhe ekspozimi i tij ndaj lëndëve narkotike, një fakt i konsideruar veçanërisht i rëndë për moshën.

Hetimet paraprake dhe vlerësimi i provave çuar prokurorinë në përfundimin se nënë e bir, Armand Kumaraku dhe Natasha Rombollas, kanë ndërmarrë veprime që dëmtojnë zhvillimin mendor dhe fizik të fëmijës, duke sjellë si pasojë shfaqjen e simptomave të çrregullimeve të personalitetit antisocial. Çështja ndodhet në pritje të vendimit përfundimtar të gjykatës, e cila do të jap fjalën e fundit.

Vetë i vogli ka dëshmuar se shpesh herë ka pasur kërcënime fizike dhe psikologjike kur dilte në “Tik Tok” dhe babai e kërcënonte gjatë gjithë kohës me thikë që ai të shfaqej në rrjetet sociale edhe pse ai shprehej se nuk kishte dëshirë edhe një pjesë të fjalorit që ai përdorte nuk ia dinte kuptimin. Jo vetëm kaq, të voglit i jepnin puro dhe pije alkoolike dhe kjo qartësisht rezulton se ndaj tij është ushtruar keqtrajtim fizik dhe psikologjik dhe është detyruar për të kryer veprime që dëmtojnë zhvillimin e tij mendor dhe fizik.

Natasha Rombula u arrestua së bashku me djalin e saj Armando Kumaraku në shkurt të vitit të kaluar, me akuzën për kryerjen e veprës penale “Keqtrajtimi i të miturit”, kryer në bashkëpunim.  Arrestimi i tyre erdhi pas denoncimit të ish-bashkëshortes së Kumarakut, për disa video të shpërndara në rrjetin social TikTok, ku duket se ata mësonin 10-vjeçarin të shajë me fjalë banale, për të përfituar vlera monetare.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Berat kërkon deklarimin fajtor të shtetasve A.K. dhe N.R. për kryerjen e veprës poenale ‘keqtrajtimi i të miturit’ parashikuar nga neni 124/b/2 dhe 25 i Kodit Penal

Në përfundim të gjykimit, vlerësohet se akuza e ngritur në ngarkim të të pandehurve është tërësisht e provuar, ndaj gjatë pretencës Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, kërkon deklarimin fajtor të të pandehurit A.K. dhe dënimin e tij me 3 vite burgim si dhe dënim plotësues ‘Humbjen e përgjegjësisë prindërore’. Ndërsa për shtetasen N.R., dënimin me 2 vite burgim.

Të dy të pandehurit, nënë e bir, kanë keqtrajtuar djalin e mitur, (djali dhe nipi i të pandehurve) kanë komunikuar me fjalë banale me të miturin dhe e kanë detyruar dhe të, të flasë në të njëjtën mënyrë në rrjetet sociale ‘Youtube’ dhe ‘TikTok’.

Gjatë seancës vlerësuse është arrit në përfundimin se i mituri ka qënë i kërcënuar vazhdimisht dhe është ndjerë nën presion nga babai dhe gjyshja si dhe është ekspozuar në rrjetet sociale në mënyrë abuzive me gjuhë dhune dhe fjalor denigrues i cili nuk është i përshtatshëm për moshën në të cilën ndodhet i mituri. Po kështu, i mituri është ekspozuar kundrejt lëndëve narkotike, gjë e cila është e papranueshme për moshën që fëmija ka. Ai është nxitur nga gjyshja dhe babai i tij për t’u bërë pjesë e rrjeteve sociale (Tik-Tok) në video pa dëshirën e tij, gjë e cila ka ndikuar në gjëndjen e rënduar emocionale të fëmijës së mitur. Bullizimi që ushtrohet duke ju drejtuar me epitete të ndryshme gjithashtu kanë rënduar gjendjen e tij psikologjike.

Në përfundim të hetimeve paraprake, pas analizës në tërësi të të dhënave dhe provave të marra, arrihet në përfundimin se, ka të prova të mjaftueshme se të pandehurit A.K. dhe N.R. kanë kryer veprën penale për të cilën u akuzuan. Ata kanë kryer veprime të cilat konsistojnë në keqtrajtim fizik dhe psikologjik të të miturit dhe detyruar këtë të fundit për të kryer veprime që dëmtojnë zhvillimin e tij mendor dhe fizik që ka sjellë si pasojë simptoma të çrregullimit të personalitetit anti social te i mituri, duke qënë se të gjithë modelet që ai ka pasur kanë ndikuar drejtpërsëdrejti në jetën e tij dhe në zhvillimin e tij si individ.

Xh.D/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?