A është realitet shifra 1 miliard euro që pritet të investohen nga familja amerikane Trump në Sazan dhe në Beograd?
Janë publikuar botërisht fotot e projektit nga resorti turistik luksoz prej 400 hektarësh ‘në mes të zemrës së Mesdheut”, tha dje Kushner, duke e quajtur ‘gjë unike’. Janë bërë edhe deklarata të tjera që e quajnë ‘punë të kryer’ shifrën 1 miliard. Pra është një realitet.
Edhe tre herë të tjera më parë, shifra 1 miliard ( euro) është shfaqur mes nesh, si realitet. Rasti i katërt është Sazani. Para tij ishte Porti i Durrësit ose “Durrës Yachts & Marina”, dhe një herë tjetër më parë ishte shifra 1 miliard euro që qeveria shqiptare mundi të tërheqë nga institucionet evropiane për eliminimin e pasojave të tërmetit 2019.
Por në të katër rastet, realiteti është shfaqur e shfaqet në të dy gjendjet e realitetit: Në ëndërr dhe zgjuar.
Shqipëria e nisi tatëpjetën me 1 miliardshin e parë. Shteti dhe ekonomia private u shembën në vitin 1997 bashkë me shifrën 1. 2 miliard dollarë; aq sa deklarohet zyrtarisht. Ra buxheti, ranë kursimet e familjes, mungoi buka, ra policia, u shemb ushtria, u grabitën armët me miliarda, u mbyllën shkollat dhe çerdhet, u vranë mbi 3 mijë njerëz… Realiteti 1.2 miliard i vitit të humbur, sidomos nga autorët, shikohet në dy gjendje: Zgjuar dhe në ëndërr.
Qeveria dhe shteti i kohës e shikojnë veten në ëndërr sikur janë ‘flutur’. Sot e kësaj dite mburren për ‘fitoret’ e atij viti në ekonomi. Në ëndërr u del sikur shifrën mbi 1 miliardë dollarë nuk e groposën, por e investuan. Në këtë rast ‘flutura’ është realitet, ndërsa vendi i shkatërruar ku ta dish nëse qenka realitet (!) Sipas Erich From, në ëndërr lind pyetja: “çfarë është realiteti? Nga e dimë se ajo që shohim në ëndërr nuk është reale, kurse ajo që përjetojmë gjatë kohës kur jemi zgjuar, është reale?”. From citon poetin kinez: “Natën e kaluar pashë në ëndërr se unë isha flutur, kurse tani nuk e di nëse jam vallë njeriu që mu shfaq në ëndërr…”.
Në optikën e zotëve të vitit 1997, shifra 1 miliardë e investitorit Alabar shfaqet si ‘në ëndërr’ ndërsa realitetin e mohojnë. Ka edhe një arsye për këtë: Në vendin ku po ndërtohet “Durrës Yachts & Marina”, gjysmës së sipërfaqes ia kishte vënë syrin Shkëlzeni, biri i Berishës. Si edhe në Gjirin e Lalëzit deri mbi Kepin e Rodonit, ia kishte ngulur thonjtë e bija Argita. Ky është realiteti, që në fakt duan ta quajnë ‘flutur në ëndërr’.
Ndërsa me investimin e dhëndrit të Donald Trump në Sazan, njerëzit e ëndrrës nuk e kanë ndarë mendjen: Të quajnë flutur apo realitet! Nëse Trump fiton zgjedhjet e bëhet president i Amerikës, atëherë do ta quajnë ‘realitet’ dhe e prekin me dorë në formë interesash për vete.
Ndryshe do ta shpallin prapë ‘flutur’.