Ditët e nxehta të gushtit e shtuan ndjeshëm përdorimin e kondicionerëve, dhe për pasojë e rritën edhe faturën e importit të energjisë elektrike. Në 5 ankande të zhvilluara nga Korporata Elektroenergjetike, për këtë muaj janë shpenzuar në total 27.7 milionë euro për të blerë energji elektrike, në mënyrë që të garantohet furnizim pa ndërprerje me energji, në kushtet edhe të sezonit turistik që ka shtuar kërkesën për konsum.
Sipas shifrave të ankandeve të zhvilluara nga 29 korriku deri më 1 shtator 2024, KESH ka importuar më shumë se 210 mijë megavat orë energji elektrike me çmim mesatar pre 129 euro megavati. Kurse prej mesit të muajit qershor kur nisën importet e para të energjisë për këtë vit është blerë në total 48.8 milionë euro energji elektrike ose mbi 391 mijë megavat.
Sasia e shtuar e importeve javët e fundit, është shkaktuar nga mungesa e reshjeve pasi ka rënë prodhimi në hidrocentrale. Për të ulur varësinë nga reshjet përtej parqeve diellore dhe eolike, KESH pritet të vë në punë edhe termocentralet lundruese në Vlorë në muajin shtator.
Po ashtu qeveria planifikon të ndërtojë një central për ruajtje të energjisë elektrike, me vlerë 120 milionë euro, projekt që aktualisht është në fazë ideje. Ky vendim vjen për shkak se vendi ka mbiprodhim të energjisë gjatë stinës së dimrit, dhe energjinë e eksporton me çmim të ulët, pasi nuk ka kapacitete ruajtëse, ose në rastin më të keq hapen portat e hidrocentraleve që tej mbushen me ujë.
Sipas dokumentit të politikave prioritare të qeverisë 2025-2027, pritet të vihen në jetë 25 projekte energjetike në plan, me vlerë mbi 3.1 miliardë euro.
Pse askush nuk flet per rrogat e KESH? OST ka marrur rritje, KESH jo.
Përgjigju