Borxhi publik në vitin e kaluar është ulur me 92.3 milionë euro, duke zbritur në 59.2%, të Prodhimit të Brendshëm Bruto nga 64.46% që ishte në 2022.
Pozitat e borxhit janë në rënie në raport me GDP-në e vendit për shkak se vjet ekonomia pati ecuri pozitive, dhe nga ana tjetër Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 1.6 miliardë euro, dhe arriti në 22.6 miliardë euro në total.
Sipas raportit të Ministrisë së Financave borxhi vjet ishte 13.4 miliardë euro, nga mbi 13.5 miliardë euro që ishte në fund të vitit 2022. Por pavarësisht se borxhi është në rënie, kostot e shlyerjes së tij vjet u rrit me mbi 223 milionë euro në krahasim me vitin 2022.
Në fund të vitit fatura totale e kostove të borxhit ku përfshihen principali dhe interesat e borxhit arriti në 988 milionë euro nga 764 milionë euro që ishte në vitin 2022.
Shërbimi i borxhit sipas Ministrisë së Financave vjet ishte sa 4.36% e PBB-së së vendit, nga 3.65% në vitin paraardhës. Kështu vjet u regjistrua kostoja më e lartë e kthimit të borxhit që prej vitit 2015. Ndikim në rritje të kostove kanë dhënë normat më të larta të interesit të shkaktuara prej krizës së çmimeve, si dhe rritja e kësteve të borxheve që janë larë.
Ministria planifikon reduktim të mëtejshëm të borxhit edhe për këtë vit në raport me PBB-në e Shqipërisë, por në vlerë sipas përllogaritjeve ai do të rritet.
Konkretisht pas rishikimit të fundit që i është bërë buxhetit të këtij viti, vlera e borxhit përllogaritet në 13.8 miliardë euro nga 13.4 miliardë euro në 2023. Madje nuk përjashtohet mundësia që vendi të emetojë një tjetër eurobond këtë vit për projekte të ndryshme dhe për mbështetje buxhetore.