Me gjithë çmimet e larta që shoqëruan turizmin shqiptar këtë vit, përsëri nuk u ndal ‘vrulli i turistëve që shpenzojnë pak’.
Ekonomia e vendit përfitoi 2 miliardë euro në gjashtëmujorin e parë të vitit prej industrisë së turizmit. Në raport me vjet shpenzimet e të huajve në vend u rritën me 150 milionë euro sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë.
Në këtë gjashtëmujor të parë të vitit referuar Institutit të Statistikave vendi u vizitua nga 4.7 milionë të huaj nga 4.5 milionë që ishte numri vjet. Nga një përllogaritje rezulton se çdo i huaj ka shpenzuar mesatarisht në Shqipëri 440 euro, për transport, akomodim apo për konsum dhe argëtim. Vetëm 12 euro më shumë se vjet, për shifrat e së njëjtës periudhë.
Në anën tjetër 3.8 milionë shqiptarë që pushuan jashtë vendit në këtë gjashtëmujor shpenzuan 1.3 miliardë euro apo 91 milionë euro më shumë se vjet. Praktikisht një shqiptar ka harxhuar 338 euro për pushime jashtë vendit, nga 341 euro që ishte vlera në 2024-ën.
Por sezoni ende nuk është mbyllur. Deri në fund të muajit gusht, vendi u vizitua nga 9 milionë të huaj, kryesisht nga vendet fqinje Kosova, Maqedonia e Veriut apo Italia.
Komente
