SHIFRAT/ Fitimi bruto i bizneseve vjet mbi 3.4 mld euro! ‘Trofeun’ e merr turizmi, por bizneset prodhuese më fitimprurëse

9 Nëntor, 18:27| Përditesimi: 9 Nëntor, 19:16

  • Share

Vetëm 1 në 8 biznese në vend ka paguar tatim mbi fitimin e realizuar gjatë vitit 2023. Ministria e Financave thotë se janë 15 mijë e 939 biznese me xhiro mbi 14 milionë lekë që kanë paguar tatim mbi fitimin gjatë vitit të shkuar në vlerën 516 milionë euro. Aktualisht në vend operojnë 130 mijë biznese, por vetëm një pjesë e vogël 12.3% e tyre janë subjekte të tatimit mbi fitimin, pasi bizneset me xhiro deri në 14 milionë lekë janë të përjashtuar deri në vitin 2029.

Në total fitimi i bizneseve të mëdha vitin e kaluar ka qenë 3 miliardë e 485 milionë euro, ku ‘trofeu’ mbahet nga sektori i shërbimeve, ndikuar edhe prej bumit të fortë turistik me mbi 10.1 milionë turistë. Shifrat zyrtare tregojnë se 4.363 biznese të sektorit të shërbimeve me xhiro mbi 14 milionë lekë kanë gjeneruar fitim bruto mbi 1.1 miliardë euro. Nga një përllogaritje e thjeshtë rezulton se fitimi i çdo biznesi të sektorit të shërbimeve është mesatarisht 252 mijë euro në vit ose 2100 euro në muaj.

Edhe pse sektori i shërbimeve ka fitimin më të madh  për shkak edhe të numrit më të lartë të subjekteve, bizneset më fitimprurëse janë ato të prodhimit. Sipas shifrave 2.508 subjekte të sektorit të prodhimit kanë gjeneruar fitim prej 936 milionë euro, ose mesatarisht 373 mijë euro fitim në vit për çdo biznes të këtij sektori. Pas prodhimit vjen tregtia, ku 6470 biznese të këtij sektori fituan në total vjet 870 milionë euro. Edhe pse renditet në vendin e tretë si sektori më fitimprurës, në fakt bizneset që merren me tregti kanë fitimet më të ulta se të gjitha fushat e tjera.

I katërti në renditje është ndërtimi me 435 milionë euro fitime bruto të realizuara nga 2 mijë kompani. Fitimi mesatar i këtyre ndërtuesve në vitin 2023 rezulton të jetë 217 mijë euro. Në fund është transporti me vetëm 140 milionë euro fitime, nga 597 kompani që operojnë në këtë fushë.

Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin këtë vit planifikohen të arrijnë në 597 milionë euro, ndërkohë që nga janari deri në fund të shtatorit janë arkëtuar 433 milionë euro.

FITIMET SIPAS SEKTORËVE
Shërbimet      1.1 mld €/ 4.363 biznese
Prodhimi       936 mln €/ 2.508 biznese
Tregtia          870 mln €/ 6.470 biznese
Ndërtimi        435 mln €/ 2000 biznese
Transporti        140 mln €/ 597 biznese
 
FITIMET/ SEKTORI I SHËRBIMEVE
Numri i bizneseve             4.363 subjekte
Fitimi total                      1.1 miliardë euro
Fitimi për biznes           252 mijë euro në vit
 
FITIMET/ SEKTORI I PRODHIMIT
Numri i bizneseve             2.508 subjekte
Fitimi total                      936 milionë euro
Fitimi për biznes           373 mijë euro në vit

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?