Importi po e mbyt prodhimin vendas, pasi dominon ndjeshëm në tregun shqiptar. Situatë që konfirmohet edhe nga të dhënat e Institutit të Statistikave, mbi tregtinë e mallrave. Vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti është importuar nga jashtë 579 mijë tonë produkte ushqimore, pije e duhan, rreth 100 mijë tonë më shumë se në vitin e kaluar, e përkthyer në vlerë, 74.8 miliardë lekë importe ushqimesh nga janari në qershor të këtij viti, nga 69.2 miliardë lekë që ishte vlera vitin e kaluar.
Kurse eksportet për të njëjtat mallra arritën në 242 mijë tonë këtë vit, nga 211 mijë tonë në vitin e kaluar. Eksportet e ushqimeve, pijeve e duhanit në këtë gjashtëmujor ishin në vlerën 27.6 miliardë lekë, duke rënë krahasuar me vjet kur u eksportuan 30.6 miliardë lekë ushqime. Pra kemi eksportuar më lirë, dhe kemi shitur trefish më pak sesa kemi blerë.
Një tjetër e dhënë që tregon dominimin e importit në vend, është edhe ajo e drithërave. Ndërkohë që fermerët ankoheshin që gruri u kishte mbetur stok, importet rriteshin.
Sipas të dhënave të INSTAT, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë importuar 143 mijë tonë drithëra, me vlerë 4.7 miliardë lekë. Ndërsa vjet u importua në këtë periudhë 109 mijë tonë, me vlerë 4.5 miliardë lekë.
Ndërsa vlera e eksporteve është minimale. Vjet janë eksportuar 151 tonë drithëra, ndërsa këtë vit vetëm 88 tonë, kurse vlera e tyre nga 7.1 milionë lekë vjet, është rritur në 17.6 milionë lekë këtë vit.
Pra siç tregohet nga shifrat e vetë institucioneve, importi po konkurron fort prodhimin vendas, dhe po dominon nëpër markete dhe magazina në Shqipëri.