Foto ilustruese

Ekonomi

Shifrat/ Viti 2024 u mbyll me 710 mld lekë të ardhura, ‘ngecën’ shpenzimet nuk u harxhuan 42.7 mld lekë të planifikuara

24 Shkurt, 17:31| Përditesimi: 24 Shkurt, 19:47

  • Share

Viti 2024 është mbyllur me 710 miliardë lekë të ardhura me rritje prej 66.6 miliardë lekë në raport me vitin 2023, ndërsa në krahasim me aktin normativ të gushtit 2024, të ardhurat nuk janë realizuar me 3.7 miliardë lekë.

Dy nga shkaqet kryesore të evidentuara gjatë vitit të shkuar që ndikuan negativisht në realizimin e të ardhurave, ishin zhvlerësimi i valutave, që ndikoi negativisht tek të ardhurat doganore, por nga ana tjetër edhe heqja e tatimit 15% për profesionistët e lirë uli pritshmëritë për të ardhurat.

Kontributin më të madh në rritjen e ardhurave në raport me vitin 2023, e ka dhënë përmirësimi i ekonomisë, shtimi i konsumit si rezultat i turistëve të shumtë por edhe përmirësimi i aktivitetit të bizneseve. Paratë e mbledhura nga TVSH-ja, tatimi i pagave ndikuar edhe prej rritjes së rrogave dhe milionat e mbledhura nga akciza patën ndikimin më të madh në rritjen e të ardhurave vjet.

Sipas Ministrisë së Financave, tek doganat u mblodhën nga TVSH-ja në import afro 154.4 miliardë lekë, nga akciza  63.4 miliardë lekë, nga renta minerare në eksport 2.7 miliardë lekë, nga taksat doganore  9 miliardë lekë.

Ndërsa tek administrata tatimore u mblodhën nga TVSH e arkëtuar (neto), u mblodhën 59.6 miliardë lekë, nga tatimi mbi fitimin 57 miliardë lekë, nga Tatimi mbi të ardhurat personale 66.1 miliardë lekë, nga taksat nacionale 44.7 miliardë lekë dhe nga të ardhurat nga fondet speciale, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, të mbledhura nga Administrata Tatimore, ISSH dhe FSDKSH u realizuan në masën 160.7 miliardë lekë.

TË ARDHURAT PËR VITIN 2024
Plani                    714 mld lekë        
Realizimi         710.3 mld lekë         
Diferenca           -3.7 mld lekë      

Sa i takon shpenzimeve sipas shifrave nga Ministria e Financave, në total në vitin 2024 janë shpenzuar 728 miliardë lekë, ose 42.7 miliardë lekë (427 mln euro) më pak se pritshmëritë.

Ecuria e dobët e investimeve përgjatë periudhës janar-nëntor 2024, u pasua nga një hov pagesash për investime, shërbime të papaguara, për paga, sigurime apo vendimesh gjyqësore në muajin dhjetor e janar. Gjatë kësaj periudhe ministritë harxhuan mbi 153.3 miliardë lekë pasi deri në fund të 11 mujorit ishin shpenzuar në total 575.3 miliardë lekë.

Ministria e Financave thotë se shpenzimet patën ecuri të ngadaltë vjet për shkak të vonesave në procedurat tenderuese, vonesave në realizimin e projekteve si dhe në marrjen e fondeve të huaja. Ndërsa ekspertët thonë se ndikim në këtë ngadalësim të investimeve po jep SPAK, pasi  administrata është e ‘frikësuar’ nga hetimet, dhe po ndërgjegjësohet duke u treguar e kujdesshme kur hedh firmën në projektet që hartohen apo në procedurat tenderuese.

SHPENZIMET PËR VITIN 2024
Plani               771.3 mld lekë
Realizimi       728.6 mld lekë
Diferenca      -42.7 mld lekë

S.B/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se vota e Diasporës do jetë përcaktuese më 11 maj?