Kronikë

Shijaku i pushtuar nga plehrat, kutërbon era e keqe! Mbeturinat digjen në vend të paligjshëm! Bashkia gjen zgjidhje...(dhe i lë në kosha)!!!

21 Gusht 2021, 10:27| Përditesimi: 21 Gusht 2021, 12:05

  • Share

Prej 3 ditësh, në qytetin e Shijakut kutërbon era e keqe. Koshat e mbeturinave nuk janë pastruar nga kompania nën menaxhimin e pushtetit lokal të Bashkisë së Shijakut.

Report Tv ishte sot në qytetin e Shijakut ku vështirë të mos shohësh plehra në çdo cep të tij.

Edhe më keq akoma është situata pak më tutje, në lindje të qytetit, në Shilorje, ku është gjetur një zgjidhje në dëm të shëndetin të qytetarëve. Aty po digjen mbetje urbane duke nxjerrë re tymi helmues me erë kutërbuese. Kontaktuar nga Report Tv Bashkia e Shijakut thotë se mbetjet në landfillin e paligjshëm nuk janë hedhur prej saj, dhe se djegien mund ta kenë bërë qytetarët. Pyetur se ku po i hedh mbetjet bashkia, përgjigjja e marrë ishte se “plehrat po qëndrojnë në kontejner”. Pra, Bashkia e Shijakut nuk e ka vështirë të pranojë hapur se zgjidhja që ka gjetur është t’i lë plehrat prej ditësh në kosha.

Por përse situata ka ardhur deri në mbulimin e qytetit të Shijakut nga plehrat?

Burime nga Landfilli i Sharrës thanë për Report Tv, se Bashkia Shijak kërkoi aktmarrëveshje depozitimi për mbetjet urbane. Të njëjtat burime saktësuan se akmarrëveshja u bë sipas kërkesës së Bashkisë Shijak, por për arsye të paqarta, bashkia nuk e firmosi.

Report Tv ka denoncuar vazhdimisht ndotjen masive në disa qytete të Shqipërisë nga mbetjet urbane që pushteti lokal duhet t’i menaxhojë për të mos rrezikuar jetën e qytetarëve. Pas Durrësit, Peqinit, Rrogozhinës e Kavajës, situata kaotike me plehra që pushtojnë qytetin, tashmë paraqitet në Shijak.

 

 

Ora 11:00
Shijaku 'mbytet' nga plehrat, digjen në landifill të paligjshëm! Banorët: S'po marrim dot frymë! Po të mos mbyllim dyer-dritare nuk rri dot as në shtëpi

Shijaku është kthyer në një problematikë për banorët e zonës për shkak të mospastrimit të mbeturinave nga koshat për ditë me radhë. Madje disa banorë të zonës shprehen se koshat kanë edhe 2 javë pa u pastruar.

Zgjidhje për Bashkinë Shijak është bërë grumbullimi i tyre në një landfill të paligjshëm, rreth të cilit ka banesa. Përveç grumbullimit të paligjshëm, atyre u është vënë edhe zjarri, ku përveç erës së rëndë kanë shkaktuar edhe një tym kancerogjen në zonë.

Vetë Banorët shprehen tepër të revoltuar dhe shqetësuar nga kjo situatë ku shprehen se po të mos mbyllin dyer e dritare nuk mund të rrinë dot në shtëpi për shkak të erës së rëndë.

 "Vjen erë e keqe, s'po marrim dot frymë. Kjo situatë me plehrat ka 5 ditë apo 1 javë që vjen era. Po nuk mbylle dyer e dritare nuk rri dot në shtëpi", tha një banorë.

"Tmerr me plehrat . Tek lagja ime kanë 2 javë pa u hequr plehrat, është kthyer në një problem të madh", shprehet një tjetër.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?