Nouvelle Vague është ndër vendet më të frekuentuara në Tiranë. I stacionuar në një rrugicë të vogël në Bllok, një lagje e njohur për jetën e natës në kryeqytet, gamberorosso.it e përshkruan si një lokal shumëngjyrësh me banak dopio që nuk ka kaluar pa u vënë re në netët gjithnjë e më të mbushura (nga turistët) në Tiranë.
“Sofo Cali e hapi lokalin së bashku me vëllanë e tij 11 vite më parë. Ishte viti 2012, viti në të cilin në Festivalin Evropian të Këngës Rona Nishliu arriti me “Suus” vendosjen më të mirë deri më sot për një kënge shqiptare në Eurovision duke dalë e pesta dhe duke ekspozuar një model flokësh fantastik”, shkruhet në artikull.
Në fakt Sofo në vitin 2010 u nis diku tjetër, në një plazh në jug të Shqipërisë.
“Por më pas pashë Tiranën dhe mendova: hej, pse të mos hapim një lokal këtu dhe ta quajmë Nouvelle Vague”.
“Me vëllanë tim kontaktuam me prodhuesit e rakisë, barishteve në fshatra, çdo gjë që rritet këtu, filluam të zhvillojmë një komunitet të barmenëve modernë dhe të bëjmë shumë kërkime dhe zhvillim e recetave që kanë shije shqiptare”, shtoi ai.
Në fakt, lista e koktejve të Nouvelle Vague të çon nëpër një udhëtim në shijet dhe historinë e Shqipërisë një vend që ende është pak i njohur, sepse mbeti totalisht i izoluar gjatë periudhës komuniste (nga 1946 deri në 1991).
“I izoluar dhe shumë i varfër”: Sofo na tregon shije dhe kujtime të një bote që në nuk ekziston më. Përmes koktejeve sjell copëza historie nga sistemi komunist në Shqipëri por edhe nga jetesa e atëhershme.
L’English Climber (alpinisti anglez) (Çaj mali, mjaltë, limon, ujë të gazuar, raki).
"Gjatë komunizmit kishte shumë varfëri, për mëngjes dhe për darkë hanin një copë bukë me sheqer, djathë dhe reçel. Me këtë pije ne përpiqemi të rikrijojmë këtë shije, mund të shijoni pak bukë, e cila vjen nga çaji, mjalti..." Dhe gjithçka, në mënyrë magjike, funksionon kur e shijon.
The Drunk Bee (Bleta e dehur) (E përbërë nga pjalmi i bletës, biskota me mollë, liker portokalli dhe raki rrushi) shërbehet me biskota.
“Kur na vizitoni, ne gjithmonë japim biskota dhe fruta, është mënyra se si tregojmë mikpritje në shtëpitë tona, ndaj u përpoqëm të krijonim një koktej me biskota me mollë, liker portokalli dhe raki Berati".
Black Sabah (kafe turke, misër i thekur, mjaltë, erëza, raki rrushi)
Miksimi vjen nga një kujtim fëmijërie. "Çdo verë e kalonim në një fshat që kishte një kafene të vogël. Të gjithë porosisnin raki dhe kafe veç e veç, unë dhe vëllai im ishim të vegjël por aromat që ndjenim para se të hanim më mbetën në kujtesë. Nuk ka më njerëz të tillë, ne përpiqemi të krijojmë një koktej që të ringjallë kujtesën e këtij brezi, kemi përdorur vetëm aromën e rakisë, duke rikrijuar shijen për t'u kujtuar të rinjve se si jetonin dikur njerëzit”.
Pothuajse vetëm kujtimi ka mbetur nga kjo Shqipëri shumë e varfër. Dhe nuk është vetëm çështja e kujtimit të një tradite, apo të asaj jetese të varfër, por edhe të sjellë historinë e regjimit komunist, një epokë e rindërtuar sot në muzetë më të veçantë në kryeqytet si Bunk'Art 1 dhe Bunk'Art 2 që i kushtohen të kaluarës së sistemit komunist. Historive më të rralla të asaj periudhe që sot gjenden të dokumentuara në këto muze.