'Shikojeni gotën gjysmë plot', artistët 'bashkohen' njëzëri: Janë kohëra të vështira, por bashkë do ia dalim! (VIDEO)

2 Prill 2020, 10:32| Përditesimi: 2 Prill 2020, 13:06

  • Share

Ndonëse numri i personave të prekur me koronavirus po rritet, gjithashtu numri i personave të shëruar nga Covid-19 në vendin tonë ka shkuar në 76. Ky lajm i mirë duhet të na japë shpresë ndaj siç thonë artiatët duhet të shohim 'gotën gjysmë plot'. 

Shpresëdhënës dhe optimistë për qëndrimin në shtëpi, ata thonë se kjo situatë e vështirë do të kalojë nëse do të jemi të gjithë bashkë. 

Ora 16:07
'Çiftet po puthen në skype', Olsi Bylyku këngë koronavirusit

Aktori i humorit Olsi Bylyku ka publikuar në rrjetet sociale një këngë dedikuar koronavirusit dhe ku tregohet nëpërmjet vargjeve me rimë sesi është jeta e tij në karantinë. Në këtë këngë, Olsi ka ndërthurur atë që di të bëjë më mirë: muzikën dhe humorin. 

Ora 15:27
Disa momente serenate... Devis Xherahu luan me kitarë ashtu si në mbrëmjet korçare

Nëse karantina ju ka grabitur mbrëmjet ku mblidheshit dhe këndonit serenata korçare, apo dëgjonit nga artistë të ndryshëm, nëpërmjet një video selfie, këngëtari Devis Xherahu ua 'shuan' këtë mall. 

Ai ka interpretuar serenata nga shtëpia e tij, ku është izoluar prej më shumë se tre javësh. 

 

Ora 15:21
'Për ty mendoj kur soset dita', vogëlushi lezhjan interpreton 'Shqipëria' e Gjergj Fishtës

Në betejën kundër koronavirus janë rreshtuar edhe fëmijët. Shumë prej tyre duke qëndruar në shtëpi dhe duke dhënë edhe për të rriturit mesazhe se sot trim dhe i denjtë për atdheun janë ata që ndjekin rregullat ashtu sic duhet. 

Nikoll Prendi, një fëmijë nga Lezha ka interpretuar kaq bukur poezinë e Gjergj Fishtës 'Shqipëria'. 

Ora 14:59
Në Ditën Botërore të Librit për Fëmijë, Mirela Kumbaro lexon përrallën 'Çfarë pa hëna'

Është gjithnjë e pranishme pranë fëmijëve duke lexuar pjesë nga libra të ndryshëm, në ditët kur ndodhemi të izoluar për shkal të masave të marra prej koronavirisit e në Ditën Botërore të Librit për fëmijë, Mirela Kumbaro ka vendosur të lexojë një përallë të Andersenit, 'Çfarë pa hëna?'. 

Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë është një festë që organizohet çdo vit më 2 prill e cila ka për qëllim zhvillimin e aktiviteteve të cilat kanë lidhje me lexuesit e moshave të vogla.

Për herë të parë u zhvillua në vitin 1967. Festohet ne këtë datë pasi 2 prilli është ditëlindja e shkrimtarit të shquar danez për fëmijë, Hans Kristian Andersen. 

Ora 14:05
Aktorët e Teatrit Kombëtar rikujtojnë shfaqjen “Tag”, mund të bëni pjesë njerëzit që doni më shumë! (VIDEO)

Aktorët e Teatrit Kombëtar kanë vendosur që të jenë pranë spektatorëve edhe nga shtëpitë e tyre. Ata sjellin përmes një videomesazhi këngën“Tag”, përmes së cilës rikujtojnë shfaqjen me të njëjtin emër me regji të Andia Xhungës dhe autor Bashkim Hoxhën

Ora 13:59
Muzika që bashkon, Ermal Meta këndon “Hallelujah” të Leonard Cohen (VIDEO)

Muzika që bashkon. Ermal Meta gjatë kësaj periudhe vetizolimi këndon këngën “Hallelujah” të Leonard Cohen. E konsideruar si një nga perlat muzikore më të njohura, kësaj here artisti Ermal Meta e interpreton këngën për të mbledhur fonde, që do të shkojnë për mbrojtjen civile në Itali.

Ermal Meta interpreton një version intensiv dhe të frymëzuar, në piano dhe bas të dyfishtë, këngën e klasikut të madh ndërkombëtar, “Hallelujah” të Leonard Cohen. "Përshëndetje miq!Është një moment shumë i vështirë ky që po kalojmë. Ne po mësojmë shumë gjëra në të vërtetë, po mësojmë të jemi të afër, duke qenë larg, të jemi të bashkuar, po mësojmë edhe të shqetësohemi për të tjerët para vetes. I dinim këto gjëra, por tani po e shohim botën ndryshe. Doja të falënderoja me zemër, të gjithë atyre që po e përballojnë këtë betejë në vijën e parë. Faleminderit të gjithë mjekëve, faleminderit infermierëve, faleminderit atyre të mbrojtjes civile. Të gjithë atyre që po bëjnë diçka praktike, faleminderit nga zemra. Çfarë duhet të bëjmë ne? Një gjë shumë të thjeshtë, të ndjekim udhëzimet e qeverisë për të dalë sa më shpejt nga kjo situatë. Rezistojmë sepse ekzistojmë edhe ekzistojmë, sepse rezistojmë. Faleminderit dhe së shpejti!”, thotë Ermal Meta.

“Hallelujah” është një këngë që kantautori Leonard Cohen e kompozoi për albumin e vitit 1984, “Various Positions”, por që është bërë shumë e famshme, edhe me interpretimin e jashtëzakonshëm të këngëtarit të ndjerë amerikan Jeff Buckley.

Ora 12:40
Këngën “Në shtëpinë tonë” të Vaçe Zelës artistët e interpretojnë bashkë me familjarët e tyre (VIDEO)

Artistët Hysni Klinaku, Selami Kolonja, por edhe të tjerë këndojnë këngën “Në shtëpinë tonë” të Vaçe Zelës kompozuar nga Aleksandër Peçi. Kësaj here kanë bërë pjesë të videomesazhit të realizuar nga shtëpitë dhe familjarë dhe miq të tyre.

Ora 12:37
Efektet anësore psikike të karantinës, psikoterapistja: 6 strategji për të dalë nga kriza (VIDEO)

Mjekja e Urgjencës dhe psikoterapistja shqiptare në Gjermani, Aurora Meta Dollenberg, përmes një videomesazhi për Federatën Evropiane të Mjekëve Shqiptarë shpjegon efektet anësore të vetizolimit në shtëpi, edhe këshillon 6 strategji që duhet të ndiqen, që pas gjithë kësaj krize, të dalim edhe më të fortë

“Vetizolimi në kushtet e virusit corona është jetëshpëtues, edhe duhet që ta vazhdojmë të gjithë.

Por nga ana tjetër izolimi shtëpiak i kombinuar edhe me ndjenjën e vazhdueshme të jetëkërcënimit nga virusi corona ka edhe efekte anësore në psikik, siç janë ankthi, depresioni edhe rritja e agresivitetit edhe e dhunës në familje.

Statistikat tregojnë se numri i vetëvrasjeve është po ashtu në rritje.

Si psikoterapiste u këshilloj pacientëve të mi, por edhe juve, që të ndiqni këto masa parandaluese ndaj krizës psikike.

Së pari, strukturoni ditën edhe javën tuaj paraprakisht.

Që nga ngritja në mëngjes, planifikoni punën dhe ushqimin tuaj në këtë mënyrë do të arrini një stabilitet emocional.

Së dyti, qëndroni fizikisht aktiv. Një vrapim në ditë apo një shëtitje forcon sistemin imunitar.

Së treti,  një gjumë i mirë. duke mos shkuar shumë herët në shtrat, edhe duke mos fjetur gjatë ditës do të bëjë të siguroni një gjumë të thellë. Gjithashtu, ndihmon edhe gjimnastika para gjumit.

Së katërti, merrni informacionet mbi koronën vetëm nga burimet zyrtare, pasi faktet e zvogëlojnë ankthin.

Së pesti, ruani kontaktet sociale me miqtë apo familjen tuaj përmes internetit edhe telefonit.

Edhe së fundmi, sigurohuni të kryeni mjaftueshëm aktivitete të bukura, që rrisin edhe hormonet e lumturisë, siç mund të jetë një komedi, leximi, muzika apo një emision humoristik.

Do të përhiqemi që përmes këtyre strategjive të dalim nga kriza me perspektiva edhe shanse të reja për të ardhmen, madje edhe më të fortë se para kësaj krize".

Ora 12:32
Tre nxënëse të Liceut Artistik “Jordan Misja” pikturojnë nga shtëpia (VIDEO)

Tre nxënëse të klasës së dhjetë në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë gjatë këtyre ditëve të vetizolimit në shtëpinë e tyre vazhdojnë mësimin online. Ato sjellin pikturat që kanë realizuar nën udhëheqjen e profesorëve të tyre.  

Ora 12:17
Genti dhe Xhoi Bejko: Qëndroni në shtëpi, sepse të gjithë bashkë do t’ia dalim (VIDEO)

Aktori Gent Bejko dhe bashkëshortja e tij, këngëtarja Xhoi përmes një videomesazhi për “ReportTV” nga Kanadaja bëjnë apel të gjithë shqiptarëve, që të qëndrojnë në shtëpi, derisa të kalojë kjo situatë.

Ora 12:11
Inva Mula, Genc Tukiçi dhe Olen Cesari sjellin “Gracias a la vida”, këngën “Himn për njerëzimin” (VIDEO)

Sopranoja shqiptare Inva Mula këndon “Gracias la vida”. Kënga e frymëzuar nga folklori i Kilit për herë të parë u këndua në vitin 1966 nga Violeta Parra dhe i ka rezistuar kohës në gjuhën spanjolle, duke u konsideruar një himn për njerëzimin

Ora 10:57
A po njeh fotografia 'krizë' nga koronavirus? Anjeza Dyrmishi: Është kohë për të reflektuar... (VIDEO)

Fotografja e njohur Anjeza Dyrmishi nëpërmjet një lidhje skype në emisionin "Rreze Dielli" ka folur për 'dëmet' që  koronavirus i ka shkaktuar edhe fotografëve. 

Edhe pse ajo thotë se fotografitë janë elementi që po 'shenjojnë' këtë periudhë, ka pak kërkesa nga njerëzit për të bërë sete fotografike. 

"Normalisht që fotografia dhe video nuk ka kërkesa, njrëzit nuk mendojnë për të patur një set fotografik në këto momente. Por ka edhe një medalje tjetër. Fotografia është shumë e rëndësishme në këto momente. Është shumë e rëndësishme për të ruajtur kujtimet.  Edhe njerëzit duan të jenë aktivë në instagram. Ka nga ata që më kërkojnë editimin e fotove në arkiva për t'i publikuar. Kërkesa kam patur nga gra shtatzëna që e kanë të rëndësishme ta dokumentojnë këtë moment me foto profesioniste. Nuk është problem dhe nuk e shoh si rreezik për të vijuar punën sepse kam distancë nga njerëzit.", shprehet fotografja. 

Ndërkohë këtë periudhë ajo e sheh ai një kohë të mirë për të reflektuar dhe për rë bërë plane dhe zbulon se pas ekspozitës "Portret jete" do të sjellë një tjetër ekspozitë. 

Ora 10:46
Rovena Shqevi: Balet dhe kujdes... Do ia dalim! (VIDEO)


Jeta e balerine brenda shtëpisë nuk mund të jetë aq ndryshe nga jeta në teatër, pasi baleti duket si një pjesë e pandarë nga trupi i tyre. 
Balerina Rovena Shqevi nëpërmjet një video mesazhi thotë se këtë periudhë duhet ta kalojmë në shtëpi. Vetë ajo ka zgjedhur të vazhdojë ushtrimet e baletit edhe e vetëkarantinuar. 

Ora 10:44
Gjimnazisti: Provimet e maturës nuk janë aq të thjeshta, shfrytëzoni kohën në shtëpi për të studiuar (VIDEO)


Në emisionin "Rreze Dielli" në Report Tv herë pas here janë transmetuar video mesazhe nxënësish të cilët ndonëse shkollat nuk janë mbyllur, vazhdojnë të zgjerojnë dijet e tyre edhe të vetëkarantinuar. 
Gjimnazisti Mario Krajka thotë se këtë kohë po e shfrytëzon për tu përgatitur për provimet e maturës si dhe për tu argëtuar nëpërmjet 'sfidave' të ndryshme në rrjetet sociale. 

Ora 10:42
Lei Kraja: Shikojeni gotën gjysmë plot, jini kreativë dhe dhuroni dashuri! (VIDEO)

Bukuroshja Lei Kraja në një video mesazh sensibilizues thotë se kohën tëbyllir në shtëpi duhet ta shohim me pozitivitet dhe ta shfrytëzojmë për të bërë gjërat që si bënim dot më parë. 
"Ndodhemi në ditë të vështira, por duhet ta shohim gotën gjysmë plot. Reflektoni, lexoni dhe bëni gjërat që nuk i keni bërë kur ju ka munguar koha" shprehet ndër të tjera prezantuesja e emisioneve sportive. 

Ora 10:40
Ledia Sulaj: Dua të flas si balerinë dhe artiste! Janë ditë të vështira për të gjithë globin... (VIDEO)


Balerina Ledia Sulaj është shprehur se koronavirus ka shkaktuar një situatë të pazakontë në të gjithë botën, ashtu sikurse edhe në vendin tonë dhe bën thirrje që të qëndroni në shtëpi. Megjithatë qëndrimin në shtëpi ajo thotë që ta shfrytëzoni edhe për tu argëtuar. 

D.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?