Vishwash Kumar Ramesh është i vetmi pasagjer që mundi t’i mbijetonte aksidentit tragjik ajror në Indi, ku humbën jetën 242 persona.
I ulur në vendin 11A, ai shpëtoi me disa gërvishtje në fytyrë dhe dëmtime të lehta në kraharor, por beteja e tij më e madhe është ajo psikologjike.
“Nuk mund të flejë natën”, tregon Krunal Keshave, 24 vjeç nga Leicester, një i afërm i tij.
“Kur fle, sheh ëndrra sikur është sërish në avion. I kujtohet gjithçka, e veçanërisht momenti kur pa njerëzit duke humbur jetën para syve të tij”.
Për Kumarin, kjo tragjedi ka qenë shumë më personale. Ai humbi vëllain e tij më të vogël, Ajay, 35 vjeç, i cili ishte gjithashtu në avionin që kishte destinacion aeroportin Gatwick në Britani.
“E sheh Ajayn kudo. Flet, por jo për aksidentin. Gruaja dhe djali i tij katërvjeçar janë pranë tij. Po përpiqet t’i rikthehet jetës normale, por rrallë del nga shtëpia. Shumicën e kohës e kalon me familjen”, tregon Keshave.
Aktualisht, Kumar Ramesh ka vendosur të qëndrojë në fshatin Bucharwada në Diu, në bregdetin e shtetit indian Gujarat, ku po rekuperohet. Nuk ka preferuar të kthehet në shtëpinë e tij në Londër apo në atë të familjes në Leicester.
Mediat indiane e kanë cilësuar si “njeriu i mrekullisë”, “fëmija i Zotit” dhe “simbol shprese”.
Banorët vendas flasin për të me habi dhe respekt, duke e përshkruar si “njeriu që nuk mund të vritet”.
Avioni Boeing 787 Dreamliner u rrëzua më pak se një minutë pas ngritjes, duke u përplasur me një ndërtesë banimi për mjekët, ku humbën jetën edhe 19 persona të tjerë.
Një raport paraprak prej 15 faqesh nga Byroja Indiane e Hetimit të Aksidenteve Ajrore (AAIB), i publikuar në fillim të këtij muaji, zbuloi një konfuzion në kabinën e pilotëve. Njëri prej tyre e pyeti tjetrin përse kishte prekur çelësat e karburantit, ndërsa ky i fundit mohoi ta kishte bërë.
Sipas raportimeve të Wall Street Journal, autoritetet amerikane dyshojnë se kapiteni i fluturimit, Sumeet Sabharwal, 56 vjeç, kishte ndërprerë furnizimin me karburant pak çaste pas ngritjes.
Komente
