SHISH bën gati raportin: Shqipëria, në qendër të vëmendjes të shërbimeve të huaja! Vendet jo miqësore amplifikojnë tensionet ndëretnike e ndërfetare në rajon

21 Qershor 2022, 16:01| Përditesimi: 21 Qershor 2022, 21:20

  • Share

Shqipëria vijon të mbetet në fokus të disa shërbimeve të huaja të inteligjencës, të cilat grumbullojnë informacion për zhvillimet e brendshme në fushën politike dhe të sigurisë. Shërbimi Informativ Shtetëror në raportin e përgatitur për vitin 2021 nënvizon se pozicionimi properëndimor i vendit tonë, stërvitjet ushtarake të NATO dhe projektet në fushën e mbrojtjes janë në qendër të vëmendjes së ‘spiunëve të huaj’. Në raport, i cili pritet të publikohet i plotë më 24 qershor, nënvizohet se në vendet e tjera të rajonit, shërbimet jomiqësore të inteligjencës e kanë fokusuar aktivitetin në amplifikim të problematikave ndëretnike e ndërfetare, nxitjen dhe mbështetjen e faktorëve destabilizues të brendshëm, në ruajtjen e statuskuosë në raport me proceset integruese dhe nxjerrjen e përfitimeve nga roli i saj në raport me Perëndimin. SHISH ka prekur në raport edhe luftën kundër krimit, ccështjen e sigurisë dhe luftën kundër terrorizmit.

Pjesë nga raporti i SHISH

Terrorizmi

Organizatat terroriste ISIS, “Al-Qaida” dhe grupe të tjera, të frymëzuara nga ideologjia ekstremiste, vijojnë të mbeten kërcënim për sigurinë ndërkombëtare dhe rajonale. Gjatë vitit 2021, niveli i kërcënimit terrorist në vend ka qenë i ulët, ndërsa në rajon ka variuar nga i ulët në i mesëm për shkak të synimeve apo planeve për akte terroriste.

Propaganda dhe teknologjitë e komunikimit online shfrytëzohen për aktivitete radikalizuese dhe rekrutuese. Grupet terroriste janë shpërndarë në platforma të tjera komunikimi për të decentralizuar edhe më tej propagandën dhe shpërndarjen e retorikës dhe ideologjisë së tyre. Lidhja e elementëve radikalë me luftëtarët e huaj terroristë (LHT) apo organizata terroriste janë faktorë nxitës të aktivitetit të mundshëm terrorist. Gjithashtu, shtetas nga rajoni tashmë pjesë e diasporës ballkanike në vendet evropiane, janë evidentuar e ndaluar për aktivitet terrorist, apo si propagandues e mbështetës të ideologjisë së organizatave terroriste.

Të burgosurit për terrorizëm vijojnë të mbajnë profil radikal dhe janë të angazhuar në aktivitete radikalizuese në sistemet penitenciare në vendin tonë dhe rajon. Vlerësohet se, shkalla e radikalizimit mund të ndikojë në situatën e sigurisë, pas përfundimit të dënimeve.

Krimi i organizuar

Kundërvënia ndaj aktivitetit të grupeve kriminale në përgjithësi, dhe atyre të përfshira në trafikun e lëndëve narkotike në veçanti, është rritur ndjeshëm si brenda dhe jashtë vendit. Megjithatë, pavarësisht rezultateve domethënëse, kundërvënia ndaj trafikimit të lëndëve narkotike mbetet sfidë e rëndësishme, për shkak të evoluimit të mënyrave të operimit të tyre pas goditjeve.

Faktorë nxitës dhe tërheqës të aktivitetit kriminal në vend dhe rajon mbeten: anëtarët e tyre të pozicionuar tashmë në vendet e origjinës ku prodhohen lëndët narkotike; lidhjet me rrjete kriminale ndërkombëtare dhe rajonale; realizimi i kërkesave paraprake apo marrëveshjeve të shtyra në kohë për shkak të kufizimeve nga pandemia; mbulimi i kostove të shkaktuara nga sekuestrimet dhe arrestimet.

Grupet kriminale po bëhen përherë e më shumë heterogjene dhe po diversifikojnë fushat e veprimtarisë. Anëtarët e grupeve shqiptare të trafikut të drogës kanë krijuar kontakte të drejtpërdrejta edhe me prodhuesit direkt të drogave, duke fituar “besimin reciprok”.

Gjendja e sigurisë në rajon

Shqipëria ka mbështetur dhe vazhdon të mbështesë çdo përpjekje ndërkombëtare në favor të paqes dhe sigurisë rajonale e globale. Për më tepër, vendi ynë ndjek një politikë konstruktive rajonale, të mbështetur në parimet e bashkëpunimit, drejt proceseve integruese euroatlantike, fqinjësisë së mirë dhe respektimit të të drejtave të pakicave.

Gjithsesi, qenia e Shqipërisë pjesë e Aleancës së NATO, pozicionimi i qartë pro-perëndimor, roli aktiv që luan në rajon e më gjerë e kanë shndërruar në një objektiv të politikës së jashtme të aktorëve të tretë, të cilët synojnë destabilizimin e sigurisë rajonale, nëpërmjet cenimit të kohezionit social dhe etnik, instrumentalizimit të faktorëve nacionalistë në rajon, përdorimit të propagandës dhe dezinformacionit, rritjes së influencës malinje etj.

Mjedisi i sigurisë në Ballkanin Perëndimor vijon të karakterizohet nga zhvillime të brendshme politike të brishta, që tregojnë se rajoni mbetet i ekspozuar ndaj kërcënimeve dhe sfidave, që vijnë si për shkak të faktorëve të brendshëm (problemet social-ekonomike, tensionet ndëretnike e ndërfetare, korrupsioni, krimi i organizuar), ashtu dhe të ndikimit të aktorëve të jashtëm, të interesuar për ta mbajtur të pandryshuar ose për të përshkallëzuar gjendjen e sigurisë dhe politike në rajon.

Inteligjenca e huaj në rajon

Si vend anëtar i NATO-s, kontribuuese për paqen e sigurinë globale, por edhe aspirante për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane, Shqipëria vijon të mbetet në fokus të disa shërbimeve të huaja të inteligjencës. Në qendër të aktivitetit të tyre për grumbullimin e informacionit vijojnë të mbeten zhvillimet e brendshme në fushën politike dhe të sigurisë, pozicionimi properëndimor i vendit tonë në raport me politikat në marrëdhëniet ndërkombëtare, marrëdhëniet me vendet e rajonit dhe aleatët strategjikë, stërvitjet ushtarake në kuadër të Aleancës dhe projektet në fushën e mbrojtjes.

Në vendet e tjera të rajonit, shërbimet jomiqësore të inteligjencës e kanë fokusuar aktivitetin në amplifikim të problematikave ndëretnike e ndërfetare, nxitjen dhe mbështetjen e faktorëve destabilizues të brendshëm, në ruajtjen e statuskuosë në raport me proceset integruese dhe nxjerrjen e përfitimeve nga roli i saj në raport me Perëndimin.

Aktivitetet hibride të aktorëve joperëndimorë kanë njohur rritje në rajon, por edhe në vendin tonë, edhe pse jo me të njëjtat përmasa si në vendet e rajonit. Këto lloj aktivitetesh po bëhen më evidente ndërkohë që vendet po përparojnë në proceset demokratizuese dhe integruese.

K.T.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Mato: 21/06/2022 17:47

    Ne syrin e armikut mbetem gjithe jeten! Thame se me luften e Ukrahines rusi do i hidhte te tre syte atje. Por jo: ne Shqiperi ka sy edhe vesh!Me kete shprehjen "jo perendimorr" i bie tja kene futur Turqeise. Do na fujne ne sherr te lavdishmin Edvin dhe Erdoqen.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?