Shisnin kanabis e kokainë të ndarë në doza në Gjirokastër dhe Sarandë, 3 në pranga (VIDEO)

25 Tetor, 13:28| Përditesimi: 25 Tetor, 14:09

  • Share

Gjirokastër- Tre persona janë vendosur në pranga pasi të organizuar si grup shisnin kanabis e kokainë të ndarë në doza në Gjirokatër dhe Sarandë.

Njëri nga të arrestuarit kishte në banesë doza të lëndëve narkotike, armë gjahu, municion luftarak, radio marrëse-dhënëse dhe mallra të kontrabanduara.

2 të arrestuarit e tjerë u kapën në flagrancë me doza të lëndëve narkotike dhe me shuma parash në valuta të ndryshme, të fituara nga shitja e dozave. Ndërkohë në gjendje të lirë do të hetohet edhe një 31-vjeçar pasi gjatë kontrollit iu gjet një sasi e vogël kanabisi.

Raportohet se lënda narkotike sigurohesh nga 45 vjeçari me inicialet M.S.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan doza kanabisi, rreth 50 gramë kokainë, 1 armë gjahu, 1 radio marrëse-dhënëse, një sasi municioni, 250 paketa me cigare (pa pullën fiskale), shuma parash në valuta të ndryshme, 4 celularë dhe 2 automjete, informoi sot policia.

Operacioni u kodua 'Andromeda.

"Si rezultat i një hetimi me metoda proaktive, të kryer për disa javë, në drejtimin e Prokurorisë së Gjirokastrës, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për implikimin e disa shtetasve në veprimtarinë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në doza, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Sektorin Operacional të DVP Gjirokastër dhe me Forcën e Posaçme Operacionale të DPPSh-së, finalizoi operacionin policor të koduar “Andromeda”.

Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit M. S., 45 vjeç, banues në Gjirokastër, K. K., 45 vjeç, banues në Ksamil dhe K. Xh., 41 vjeç, banues në Sarandë.

Nga hetimet ka rezultuar se këta 3 shtetas, të organizuar si grup, shitnin doza të lëndëve narkotike Kokainë dhe Cannabis, në Gjirokastër dhe në Sarandë. Lëndët narkotike siguroheshin kryesisht nga shtetasi M. S., të cilit nga kontrolli në banesë, iu gjetën sasi të tyre, të ndara në doza, armë gjahu, municion luftarak dhe 1 radio marrëse-dhënëse, të poseduara pa leje, si dhe 250 paketa me cigare, të dyshuara të kontrabanduara, pasi nuk ishin të pajisura me pullën fiskale. Ndërkaq, 2 të arrestuarit e tjerë u kapën në flagrancë me doza Kokaine dhe Kanabisi, si dhe me shuma parash, në lekë, euro dhe paunde, të dyshuara të përfituara nga shitja e dozave.

Në vijim të veprimeve procedurale në kuadër të këtij operacioni, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin V. K., 31 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi nga kontrolli fizik, iu gjet një sasi e vogël lënde narkotike Kanabis Sativa", thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Xh.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?