DIVJAKE- Një grup kriminal i përfshirë në shpërndarjen e kokainës në Divjakë është goditur nga Policia e Fierit, pas një hetimi gjashtëmujor të ndjekur me metoda speciale.
Operacioni policor i koduar “Zona”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, çoi në arrestimin e tre personave, ndërsa 10 të tjerë u shoqëruan për verifikime.
Në pranga ranë vëllezërit Arnold Prifti, 30 vjeç, dhe Maringlen Prifti, 32 vjeç, të cilët dyshohet se ishin organizatorët e grupit, si dhe Olsi Lala, 31 vjeç, ndaj të cilit u ekzekutua urdhri i ndalimit nga Prokuroria.
'Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me të tjerë, të organizuar si grup me organizatorë shtetasit Arnold Prifti dhe Mariglen Prifti shitnin doza të lëndës narkotike Kokainë, në Divjakë, informoi sot policia e Fierit.
Policia ka publikuar pamjet e operacionit të arrestimit ndërsa dozat e kokainës dhe armët janë gjetur në një banesë në ndërtim e sipër.
Po ashtu, ndaj shtetasve V. Rr. dhe S. B. ka nisur procedimi në gjendje të lirë, ndërsa më parë, gjatë hetimeve, ishte arrestuar edhe shtetasi E. T.
Gjatë operacionit, u sekuestruan dhjetëra doza kokaine, tre armë gjahu, një armë sportive, një armë e ftohtë, municion luftarak, dy peshore elektronike dhe shuma parash në euro dhe lekë, të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti kriminal.
Hetimet vijojnë për të individualizuar përgjegjësinë penale të personave të shoqëruar dhe për të identifikuar të gjithë anëtarët e grupit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme.
Komente
