Gjykata lënë në burg 14 të pandehur dhe ka dhënë detyrim paraqitje për mjeken Marinela Kalaja, grup ky i arrestuar pasi jepnin teste COVID false, kundrejt pagesës 35-40 euro.
Gazetari Arsen Rusta raporton se me urdhër të prokurorisë së Tiranës janë ndaluar para 3 ditësh 15 persona mes tyre dhe dy mjekë të cilët jepnin teste COVID false, kundrejt pagesës 35-40 euro. Hetimi nga organi i akuzës nisi pas kallëzimit të një administratori të një laboratori në kryeqytet. Në kallëzim thuhej se fletë të analizave për testin COVID të falsifikuar me logon e këtij laboratori dhe po përdoren për të lëvizur në mënyrë të parregullt në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian, pa bërë analizat në laborator.
Pas verifikimeve fillestare prokurori Bledar Valikaj ka urdhëruar ndalimin e 15 personave, mes të cilëve dy mjekë, një inxhinier i OSHEE-së, dhe 12 persona të tjerë. Prokuroria ka kërkuar ndalimin e mjekut laborant në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Klodian Muharremi, mjeken Marinela Kalaja dhe inxhinierin e OSHEE, Igli Çela. Po ashtu, urdhër-ndalimi është dhënë edhe për Eltjon Kolën, Klodjan Krasniqin, Blerim Cibakun, Erblin Prengën, Artur Danin, Alfred Canin, Mario Bicjan, Xhuliano Senkon, Ervin Hoxhën, Taulant Kamberin, Eraldo Kalemajn dhe Ermir Koçin.
Të gjithë këta persona kanë bashkëpunuar me organizatorin kryesor, duke i gjetur klientë për falsifikimin e testeve të COVID-19. Report TV mësoi se përmes informacioneve u bë i mundur fillimisht identifikimi i personit që kishte mundësi të falsifikonte këto teste, dhe bëhej fjalë për Roland Karricën. Karrica kishte në pronësi një dyqan internet-kafe në rrugën “Zihni Sako” në zonën e Oxhakut, përmes së cilit ka kryer aktivitetin e kundraligjshëm.