Berat- Një operacion i befasishëm antidrogë i koduar “Qytetari” në Berat ka çuar në pranga të dyshuarin si shpërndarës i lëndëve narkotike.
Policia bëri sot me dije se i arrestuari është Enea Mehmetaj, 31 vjeç. Burime zyrtare sqaruan se kanë dokumentuar veprimtarinë kriminale të të riut, si i implikuar në shitjen në doza të lëndës narkotike kanabis sativa në Kuçovë.
Gjatë kontrollit në mjet dhe në banesën e tij u gjetën sasi (në trajtë boçeje) dhe doza hashashit, 5 peshore elektronike, 175000 lekë, 1060 euro dhe shuma në valuta të tjera të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale.
“Si rezultat i një hetimi disajavor të ndjekur nga shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Berat, në bashkëpunim me Prokurorinë e Beratit, u finalizua në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Berat, operacioni “Qyteti”. Në kuadër të tij u vu në pranga shtetasi E. M., 31 vjeç, banues në Kuçovë. Nga hetimet rezultoi se ky shtetas siguronte sasi Cannabis dhe e ndante në doza, me qëllim shitjen në zona të ndryshme të Kuçovës”, tha policia vendore.
Dosja për hetime të mëtejshme i kaloi prokurorisë së Beratit, me akuzën e “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.
Komente
