Maliq- Një 39-vjeçar i cili shiste kokainë dhe kanabis të ndarë me doza në Maliq dhe fshatrat përreth ka rënë në prangat e policisë.
Pas kontrolleve të kryera në makinën dhe banesën e tij blutë sekuestruan lëndën narkotike makinën, 1 peshore elektronike dhe municion luftarak.
Operacioni u kodua “Liboniku”.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, si rezultat i veprimeve hetimore të kryera me metoda proaktive, gjatë një muaji, në kuadër të operacionit të koduar “Liboniku”, goditën një rast të shitjes së lëndëve narkotike, në doza.
Gjatë operacionit, në fshatin Libonik, Maliq, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin me të cilin lëvizte shtetasi i dyshuar për shitjen e dozave.
Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit J. B. dhe kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike Kokainë, të ndarë në doza, gati për shitje. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi u gjet një tjetër sasi Kokaine, një sasi Cannabisi, një peshore elektronike dhe një sasi municioni luftarak.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit", shtetasi J. B., 39 vjeç, banues në Libonik, Maliq.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Komente
