LEZHË- Farmacistja e arrestuar të enjten nga policia e Lezhës, pasi lëshonte testi COVID-i të falsifikuara u lirua nga qelia. 25-vjeçarja Kristjana Luka u njoh këtë të shtunë me masën e sigurisë në Gjykatën e Lezhës. Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura e reja nuk ka folur asnjë fjalë në lidhje me akuzat e ngritura, por ka qenë avokati i cili ka thënë se 25-vjeçarja ka qenë thjeshtë punonjëse në farmaci dhe se nuk kishte dijeni se aty kryheshin teste COVIDI fiktive. Pasi dëgjoi palët Gjykata e cilësoi të ligjshëm ndalimin e 25-vjeçares Kristjana dhe vendosi ndaj saj masën e sigurisë "Arrest në shtëpi" ashtu siç kishte kërkuar prokuroria.
Kristjana Luka me profesion farmaciste pranë një subjekti privat me objekt veprimtarie farmaci, në Lezhë u arrestua në flagrancë dy ditë më parë si dhe u shpall në kërkim shtetasja Aurora Ujka 35 vjeçe, banuese në Lezhë, administratore e këtij subjekti privat farmaci.
Të dyja, në bashkëpunim me njëra-tjetrën, në periudha të ndryshme kohore, kanë pajisur shtetas të ndryshëm, me dokumentin shëndetësor përgjigje fiktive të falsifikuar të testit molekular RT PCR për SARS-Cov-2, pa iu nënshtruar më parë kryerjes së testit dhe marrjes së kampionit PCR nga kërkuesit.
Pajisja e tyre bëhej vetëm me dërgimin e dokumentit të identifikimit nga ana e kërkuesit dhe sipas kërkesave të tyre, testi me përgjigje pozitive paguhej 100 euro, ndërsa testi me përgjigje negative paguhej 50 euro. Nga hetimet e deritanishme, dyshohet që me këto teste fiktive janë pajisur rreth 500 shtetas të ndryshëm.