Foto ilustruese

Bota

Shitën 832 kg kokainë, Encrochat fundos organizatën kriminale shqiptare në Angli

10 Korrik, 11:23| Përditesimi: 10 Korrik, 11:44

  • Share

Një grup i organizuar kriminal që merrej me shpërndarjen e kokainës në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar është dënuar me mbi 65 vite burg pas një hetimi të gjatë nga Policia Metropolitane e Londrës në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Krimit (NCA).

Sipas hetimeve Redon Bushi, 32 vjeç, nga Cherry Crescent, Brentford, i cili për vite me radhë udhëhoqi rrjetin e trafikut të drogës, duke bashkëpunuar me importues dhe korrierë të shumtë.

Sipas policisë Metropolitane të Londrës ai pranoi fajësinë në Gjykatën e Lartë në Kingston-upon-Thames më 10 korrik 2024 për: dy akuza për komplot për furnizim me lëndë narkotike të klasit A, komplot për transferim të pasurisë kriminale, posedim të pasurisë kriminale. Më 9 korrik 2025, ai u dënua me gjithsej 24 vite e 10 muaj burg.

Përdorimi i aplikacioneve të koduara si EncroChat dhe Signal zbuloi se Bushi kishte komplotuar për të shpërndarë të paktën 832 kg kokainë me vlerë deri në 81.6 milionë paund. Pas identifikimit të tij në EncroChat me pseudonimin “Sealvermouth”, hetuesit e Met-it dhe NCA-së nisën një operacion të targetuar për të çmontuar rrjetin.

Hetimet dhe arrestimet

Sipas hetimeve thuhet se Bushi kishte marrë masa paraprake për të mbrojtur rrjetin kriminal. Korrierëve të tij u jepeshin vetëm kodet postare, oraret dhe një përshkrim i shkurtër i individit të cilit do t'i jepnin informacionin. Megjithatë, përpjekjet e tij u penguan nga policia, të cilët arritën të zbulonin linjat e komunikimit të grupit. Ata shqyrtuan me kujdes çdo pajisje dhe bisedë që lidhej me grupin. Ata gjithashtu kontrolluan kamerat e sigurisë për orë të tëra derisa zbuluan mekanizmat e brendshëm të operacionit kriminal.

Duke përdorur këto prova, oficerët ndaluan një nga automjetet që i përkisnin korrierëve të Bushit, Ahmad Jabarkhill, në qershor 2020 dhe gjetën 700,000 paund.

Oficerët e Metropolitane dhe të NCA-së përdorën teknika të avancuara për të identifikuar tre korrierë të tjerë të Bushit - Arline Sida, Luke Ferguson dhe Kelvin Hoxha.

Përveç bisedave, të cilat u gjetën midis grupit, u gjetën edhe karta identiteti të rreme, si dhe një furgon i cili kishte kamera të instaluara në vendin ku vendosej droga në mënyrë që të mund të monitorohej nga distanca.

Duke vepruar mbi këtë informacion, Sida dhe Hoxha u arrestuan të dy në Brentford në gusht 2023. Gjatë kontrolleve atyre iu gjetën gjashtë kilogramë kokainë.

Luke Ferguson, një tjetër anëtar i sipërmarrjes kriminale, u arrestua më pas në një 'shtëpi të sigurt' në Brentford dhe iu gjet në posedim 72 kg kokainë, me një vlerë të vlerësuar në rrugë prej 6.24 milionë paundësh.

Policia dhe NCA nisën një kërkim për Bushin pasi ekipi i tij u arrestua. Ai qëndroi në një sërë hotelesh për t'iu shmangur oficerëve. Ndërsa vijonte të ishte në kërkim, Bushi u dha udhëzime njerëzve të tij të kontrollonin kamerat në adresa të ndryshme për të identifikuar çdo prani ose mbikëqyrje policore. Ai u arrestua në Reading në ditët në vijim.

Detektivi Konstabli David Leitner, i cili drejtoi hetimin në emër të Metropolitane, tha:

“Ky rast tregon këmbënguljen tonë në ndjekjen e krimit të organizuar, duke shfrytëzuar në maksimum mundësinë e paprecedentë që përfaqëson Encrochat.”

“Bushi besonte qartë se këto platforma mesazhesh e mbronin atë nga forcat e rendit, por ato shërbenin vetëm për të na siguruar provat për ta dënuar atë dhe bashkëpunëtorët e tij".

“Kjo tregon angazhimin e Met për të trajtuar shkelësit që janë të rëndësishëm në furnizimin me drogë në rrugët e Londrës”.

Ahmad Jabarkhill, 32 vjeç, u dënua më 22 korrik 2020 me 2 vite e 3 muaj burg për posedim pasurie kriminale.

Arline Sida, 23 vjeç, nga Amersham, u dënua më 9 korrik 2025 me 12 vite e 9 muaj burg.

Kelvin Hoxha, 23 vjeç, nga Brentford, u dënua më 9 korrik 2025 me 11 vite e 8 muaj burg.

Luke Ferguson, 32 vjeç, nga Shepherd’s Bush, u dënua më 9 korrik 2025 me 14 vite e 5 muaj burg.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Alb: 10/07/2025 20:35

    Kote si lodhen se as kush nuk ja del deri ne fun.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Aksioni ndaj objekteve pa leje në sezon turistik, a dëmtohet imazhi i vendit?