Majlinda Demollari, noterja që kishte përpiluar 2 kontrata shitje për të njëjtin apartament, është arrestuar nga Policia e Tiranës pasi ishte shpallur në kërkim disa javë më parë.
Por pas arrestimit nga policia, noterja 57-vjeçare u la e lirë pas konsultimit me prokurorin e çështjes, i cili vendosi ta hetojë në gjendje të lirë për shpërdorim detyre.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare kapën shtetasen e shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Apartamentet”, M. D., 57 vjeçe, pasi dyshohet se duke shpërdoruar detyrën si notere, ka përpiluar 2 kontrata shitjeje për të njëjtin apartament. Në përfundim të veprimeve procedurale, pas konsultimit me prokurorin, për 57-vjeçaren nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, njofton Policia e Tiranës.
Majlinda Demollari përpiloi 2 kontrata shitje për të njëjtin apartament, duke tentuar të mashtronin një qytetar.
Më herët, kur dhe u finalizua aksioni policor i koduar “Apartamentet”, u arrestuan Marjo Qose 31 vjeç dhe Nani Kolovani 48 vjeç. Qose i mori një shtetasi 75 000 euro, duke e mashtruar se do t’i blinte një apartament në kryeqytet, ndërsa Kolovani shiti 2 herë apartamentin e tij.
Komente
