Eksporti i prodhimit shqiptar ka njohur një rritje të lehtë, në 8 muajt e parë të këtij viti. Bilanci pozitiv u ndikua kryesisht nga energjia, ndërsa ndërtimi dhe fasoneria vijojnë të jenë në krizë.
***
‘Nëntoka’ po mban në këmbë eksportet shqiptare. Eksporti i naftës bruto që po nxirret nga nëntoka në Patos-Marinzës, ka dhënë kontributin kryesor në ndalimin e rënies së eksporteve.
Sipas Institutit të Statistikave, eksportet këtë 8-mujor u rritën me 3.5% krahasuar me vjet, pasi nga Shqipëria janë shitur mallra me vlerë 2 miliardë e 640 milionë euro, ku eksportet e grupit “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” u rritën me 10%. Në total eksportet e këtij grupi arritën 757 milionë euro nga 502 milionë euro vjet.
Grupi i dytë me rritje është ai i makinerive dhe pjesëve të këmbimit, me 1.5% më shumë se vjet, dhe më pas me rritje 1.1% vjen grupi i ushqimeve, ku bëjnë pjesë pije, duhan dhe produktet bujqësore. Në vlerë, eksportet e grupit të ushqimeve arritën në gati 380 milionë euro nga 350 milionë euro vjet.
Kurse të gjitha grupet e tjera, nga materialet e ndërtimit, fasoneria e deri tek plastika janë në rënie thotë INSTAT.
Vetë sipërmarrjet thonë se shkaqet kryesore që po ndikojnë negativisht në tregti janë zhvlerësimi i valutave, rënia e çmimeve në tregjet e huaja, por edhe tensionet tregtare globale.
Gjatë kësaj periudhe, eksportet më të mëdha vendi i ka pasur me Kosovën 75% më shumë se vjet, ndjekur nga Greqia +10.4% dhe Gjermania me rritje 6%.
Ndërsa importet janë ulur në këtë 8-mujor me 2.1% krahasuar me vjet, dhe në total blemë nga jashtë 5.8 miliardë euro produkte. Me 18.9% janë rritur importet e energjisë krahasuar me vjet, sipas INSTAT.
Për shkak të thatësirës dhe mungesës së prodhimit të mjaftueshëm për të garantuar furnizim pa ndërprerje, u shtuan importet e energjisë.
Me rritje të lehtë prej 0.6% janë edhe importet e ushqimeve e pijeve.
Më shumë mallra kemi blerë nga Kina, Greqia dhe Spanja.
Komente

Po diferenca nga vjen? Hahahaaasaaaa......sa eshte ekonomia e zeze? Ka banke Shqiperie? O zot...kjo eshte uleritese....
PërgjigjuTe eksportosh 2.6 e te importosh 5.8 miliard euro eshte disbalance e madhe ne favor te importit.Kemi nevoja te medha,por duhet arritur te pakten nje nivelim mes tyre.
Përgjigju